Analistët: I padrejtë presioni i BE-së për themelimin e asociacionit

Aktuale

Analistët: I padrejtë presioni i BE-së për themelimin e asociacionit

Më: 25 janar 2022 Në ora: 12:18
Foto ilustrim

Presioni i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është i drejtë. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Sipas Artan Muhaxhirit, nuk është aspak e drejtë që BE-ja të bëjë presion vetëm ndaj Kosovës për themelimin e asociacionit e në anën tjetër Serbia nuk po i zbaton zotimet e arritura në Bruksel.

“Nuk është aspak e moralshme dhe as pak fer që presioni t’i bëhet vetëm Kosovës, ndërkohë që dy palët e tjera bëhen indiferente ndaj zotimeve që janë premtuar në Bruksel”, ka thënë Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Muhaxhiri vlerëson se institucionet e Kosovës duhet ta kushtëzojnë formimin e Asociacionit me liberalizimin e vizave.

“BE-ja ka të drejtë të insistojë në themelimin e asociacionit përderisa e bënë ndonjë hap të rëndësishëm për lehtësimin e qytetarëve të Kosovës posaçërisht në lëvizjen e lirë me anë të liberalizimit të vizave”, tha ai.

Ndërkaq, Dorajet Imeri mendon që Kosova e ka obligim formimin e asociacionit por, thekson se ky asociacion duhet të formohet në harmoni të plotë më Kushtetutën e Kosovës.

“Ata janë marrë vesh për themelimin e një asociacioni dhe ky asociacion duhet të jetë në harmoni me kushtetutën e vendit. Kosova nuk ka obligim ndërkombëtar që ta rrënojë sistemin e saj kushtetues, por  e obligon ta formojë një asociacion”, tha Imeri për Radio Kosovën.

Kosova po vazhdon të përballet me presion nga bashkësia ndërkombëtare për sa i përket çështjes së themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se është obligim ndërkombëtar i Kosovës që të zbatojë asociacionin pasi është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat