Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se rezoluta e propozuar nga partitë opozitare lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pasi partitë opozitare lëshuan sallën e seancave plenare, Kusari-Lila ka thënë se nëse opozita dëshiron të gjejë zgjidhje duhet të ofrojë alternativa në raport me krizën energjetike dhe jo bojkot.
Kusari-Lila: Rezoluta e propozuar nga opozita nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit
“Nëse duan të gjejnë zgjidhje atëherë le të ofrojnë alternativa në raport me krizën energjetike por jo bojkotin dhe mënyrën se si ata e paralajmëruan votimin e një rezolute e cila as nuk u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Republikës”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje është i angazhuar të dërgojë komentet në raport me modelet të cilat sipas saj do të jenë sa më të përshtatshme që të përballet kriza energjetike dhe të mos dëmtohet interesi i qytetarëve të Kosovës.
Kusari-Lila: Grupi parlamentar i Vetëvendosjes nuk ka marrë pjesë votim derisa procesi i konsultimeve është ende i hapur
“Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka kundërshtuar as nuk e ka miratuar, gjegjësisht nuk ka marrë pjesë në votim përderisa është procesi i konsultimeve të hapura ende pranë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, nuk ka vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike, ka diskutim dhe propozim nga Zyra e rregullatorit të Energjisë, si treta, shtrenjtimi i rrymës nuk është se i përjashton katër komunat e veriut, katër komunat e veriut janë jashtë sistemit rregullues aktual të Kosovës si rrjedhojë e periudhës 22 vjeçare. Nuk është kjo qeveri që ka ndryshuar në raport me favoret atje, janë qeveritë e deritashme në atë qe e kanë sjellë këtë situatë dhe këtë rrethanë”, ka thënë Kusari-Lila.