Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi ka bërë të ditur se kjo parti sot do të mbaj konferencë për media.
Kuçi ka bërë të ditur se konferenca ka të bëjë me protestën e 29 janarit e cila është thirrur kundër shtrenjtimit të energjisë eletrike.
“Konferenca do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të flas kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj”, thuhet në njoftim.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur edhe në tregjet evropiane, duke i ndikuar kështu edhe çmimet e importeve të Kosovës.
Ajo i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro. Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.
ZRRE-ja po ashtu ka thënë se gjatë vitit 2021 është shënuar rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike – gjë që ka cenuar sigurinë e furnizimit dhe, javë më parë, ka çuar në reduktime.
Propozimi i ZRRE-së aktualisht është në konsultim publik.