Pasditen e sotme ka ndërruar jetë Lekë Lekaj, i ati i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj. Kjo është bërë e ditur nga vet ish-ministri që njoftoi se babai i tij ka qenë duke qëndruar në Kroaci, atje ku jetojnë dhe veprojnë një pjesë e familjes.
“Shumë të dashur miq e dashamirë të familjes Lekaj e në veçanti të bacës Lek, ju njoftoj që sot në moshën 90 vjeçare në qytetin Pula të Kroacisë, babai jonë Lek Lekaj ndërroi jetë. Në emër të motrave Borës dhe Martës, vëllezërve Gjonit, Gjevalinit, Frrokit dhe Gjergjit dhe gjithë nipave e mbesave të bacës Lek ju falënderoj për ngushëllimet. Për datën e ceremonisë mortore dhe pritjes për ngushëllime do të ju njoftoj me kohë”, shkroi Lekaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ngushëlloi familjen Lekaj për humbjen e kryefamiljarit.
“Paska shkuar ne amshim Baca Lekë, babai i kolegut Pal Lekaj. Lekë Lekajn e kujtojmë si një burrë të urtë, punëtor e atdhetar. Ngushëllimet më të sinqerta për Familjen Lekaj, miqtë dhe farefisin. U prehtë në paqe”, shkroi Haradinaj.
Ish-ministri Pal Lekaj u pa në Prishtinë gjatë ditës së sotme në protestën kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës.