Zonja Presidente Osmani, të paktën mediumet serioze, ndonëse pak në raport me interesat për atdheun, dhe jo pak komentues dhe analistë e kanë evidentuar në vazhdimësi, sikurse edhe koalicioni juaj, që kanë qenë dy kryeministra që i kanë nënshkruar marrëveshjet e dëmshme për themelimin e një asociacioni serb.
“Problemi i madh është se kanë qenë përfaqësuesit e Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, tha Osmani para gazetarëve këtë të hëne.
Ne i kemi thënë me emra, dhe nuk e di pse ju nuk keni kurajon t’ia përmendni emrat, por bile i quani edhe përfaqësues të Kosovës, ndërsa firmat janë hedhur vetëm nga kryeministrat në lidhje me këtë temë. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse shumësi i përdorur nga ju, (disa) kryeministra (përfaqësuesit e Kosovës), dhe duke e ditur se kur kanë ndodhur nënshkrimet, kuptohet se kush janë ata ish-kryeministra: me marrëveshja bazë me 2013 kur Hashim Thaçi ishte kryeministër dhe marrëveshja mbi parimet me 2015 kur Isa Mustafa ishte kryeministër.
Nën presion apo të shantazhuar?
Bile duke u nisur nga fakti se tashmë Hashim Thaçi është në Hagë, i akuzuar nga gjykata speciale për krime lufte, ju duhet ta atakoni në mënyrë diplomatike dhe mbase edhe publike, se marrëveshjen e vitit 2013 do ta ketë bërë nën presion apo i shantazhuar me shpresë se do të mund të lirohej nga akuzat për krime.
Po ashtu, meqë ishte koalicioni LDK-PDK në qeverisje në vitin 2015, ku Isa Mustafa ishte kryeministër, edhe kjo marrëveshje mund të jetë bërë nën trysnin e Thaçit, i cili ishte zëvendës i Mustafës, dhe po ashtu meqë ishte partia e tij më e fuqishme me numra në Kuvend mund të diktonte zgjidhjet, në këtë rast edhe për asociacionin të cilin tashmë e kishte nënshkruar.
Pra, zonja presidente, ju dhe aleati juaj Albin Kurti, duhet që të zhvilloni luftë të hapur me çështjet, për të cilat ju keni premtuar zgjidhje tjetër, dhe për të cilat keni ardhur në pushtet.
Kjo luftë duhet bërë në dy rrafshe së paku, në diplomaci, duke ia dëshmuar së pari miqve tanë se Qeveritë që nënshkruan marrëveshjet me Serbinë, ishin të shantazhuara ose që e përdornin fuqinë politike, forcën e shtetit për të realizuar objektiva personale, lirinë personale në këtë rast.
Dhe e dyta që të deponojë para institucioneve të drejtësisë, dyshimet dhe argumentet se dy kryeministra kanë kryer vepra penale – tradhti ndaj atdheut, pasi kanë kryer veprime antikushtetuese, në dijeni të plotë, pasi në vazhdimësi, jo veç ka pasur argumente publike, por ka pasur edhe protesta publike lidhur me ato marrëveshje.
Dhe vetëm duke e kryer një akt të tillë, të dytin, ju krijoni premisën për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se marrëveshjet për asociacionin nuk duhet të zbatohen sepse e rrezikojnë shtetin.
Vetëm argumentimi i një akti tradhtie e shmang përgjegjësinë e plotë të shtetit para marrëveshjeve ndërkombëtare!
Po ashtu, kjo do të ishte edhe referencë për çfarëdo propozimesh që mund të bëhen nga një palë e tretë, e të cilat mund të mos jenë në përputhshmëri të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Në fakt sot presidentja e vendit, të paktën si përfolje e ka pranuar se ekziston një propozim, që i ofron serbëve autonomi brenda Kosovës, ose një asociacion me kompetenca ekzekutive.
“...propozimet për të cilat po flitet asnjëherë nuk i janë prezantuar palës tonë, pra institucioneve të Kosovës”.
Natyrisht që mbetet që këto gjëra të sqarohen më tej, apo është një lojë mediale e atyre që kërkonin ndarjen e Kosovës, të cilët përballë ia vënin rrezikun e një autonomie për serbët në gjithë Kosovën, duke e paraqitur si një gogol, dhe që të dukej ndarja si një “ëmbëlsirë”.
Jo modelet e Republikës serbe në Bosnje
Presidentja i është kundërpërgjigjur këtyre zërave apo përpjekjeve duke ia kundërvënë përgjigjen amerikane, e cila e refuzon kategorikisht një zgjidhje, që mund ta shndërrojë Kosovën në në një republikë serbe të re.
“Si përfaqësues të Republikës të Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional. Keni dëgjuar ambasadorin e SHBA-ve dhe z.Escobar që në fakt kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që veriun e Kosovës do ta shndërronin në një republikë serbe të re, pra nuk kërkohen kompetenca ekzekutive”, thotë Osmani.
Madje ambasadori amerikan Hovenier, ka deklaruar se i takon institucioneve të Kosovës se çfarë të ofrojnë dhe të pranojnë në bisedime.
“Si përfaqësues të Republikës së Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë, që është ndërtuar me shumë sakrificë, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional”, deklaroi ajo.
Por, është në detyrën e juaj si presidente dhe të kryeministrit të Kosovës, që t’i luani të gjithë gurët e provave për të dëshmuar, se në aktin e nënshkrimit të marrëveshjeve ka pasur lajthim të qëllimshëm, dhe qëllimisht është dëmtuar interesi shtetëror me shpresë të realizimit të interesave private, pasi vendi po shkonte drejt formimit të gjykatës speciale, dhe këto shërbime lidheshin me pengimin e formimit të këtij institucioni ose me fitimin e lirisë personale të të dyshuarit kryesor.
Loja ruse me Ukrainën është e rrezikshme!