Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dërguar komentet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) lidhur me propozimin e kësaj zyre për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Vetëvendosje propozon një strukturë të re tarifore dhe që blloku i parë tarifor deri në 800 kWh, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila në një konferencë për media ka thënë se me propozimin e tyre kanë marrë parasysh tejkalimin e krizës aktuale dhe korrigjimin e gabimeve që sipas saj, e kanë sjellë këtë krizë.
Kusari-Lila: Vetëvendosje propozon një strukturë të re tarifore
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje propozon një strukturë të re tarifore. Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut, të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, këtu përfshihet edhe subvencioni i Qeverisë, ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në Republikën e Kosovës. Blloku i dytë tarifor, 800 kilovat për orë deri në 1400 kilovat për orë të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencionit të Qeverisë dhe llogaritjeve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe përfshin mbi 23% të amvisërive. Rrjedhimisht me propozimin tonë mbi dy të tretat e amvisërive të Republikës së Kosovës kursehen në masë të ndjeshme nga ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se brenda propozimit ruajnë familjet me gjendje të rënduar ekonomike, familjet dhe amvisëritë me të ardhura mesatare dhe stimulojnë kursimin e energjisë elektrike të shpenzuesit e mëdhenj.
Kusari-Lila: Sugjerojmë edhe bllokun e tretë tarifor
“Sugjerojmë edhe bllokun e tretë tarifor, i cili përfshin kategorinë e konsumatorëve mbi 1400 kilovat për orë. Gjithashtu, propozimet tona, në mënyrë që drejtpërdrejt të ndikohet në zbutjen e ndikimit të krizës kanë të bëjnë edhe me shqyrtimin e dokumentit për të hyrat e lejuara maksimale, të cilat sipas dokumentit të publikuar nga ZRRE për të gjithë sektorin e energjisë, janë në vlerë prej 446 milionë euro, ne propozojmë që këto të mbërrijnë në nivel më të ulët andaj rekomandojmë ZRRE-në të përfshijë ndikimin pozitiv që shkaktohet nga rikthimi i bllok-tarifave progresive për reduktimin e kërkesës për energji elektrike për vitin 2022”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka thënë se ZRRE duhet të konsiderojë reduktimin e investimeve kapitale përgjatë vitit 2022 në rrjetin e distribucionit sipas modelit të batur nga Shqipëria.
Ajo ka thënë se kërkojnë nga ZRRE të prezantojë një plan konkret për parandalimin e kësaj dukurie negative.
Sot është afati i fundit që Zyra e Rregullatorit të Energjisë pranon komentet për çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike.