Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani kërkoi të merren masa ndaj profesorit Lulzim Paci në lidhje me videot e tij në ‘Tik Tok”
Pas reagimit të Ujkanit, profesori Paci mori komente negative dhe u linçua në rrjetet sociale.
Me këtë rast, deputetja e LVV-së kërkoi falje pasi nuk ka qenë qëllimi i saj ta bëj të ndjehet keq profesori Paci.
“Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër”, deklaroi Fjolla Ujkani, përcjell “Bota sot”.
Mirëpo, profesorit nga Parisi, Nezir Krakit nuk i pëlqeu kërkimfalja e Ujkanit.
Pasi, sipas tij argumenti i saj nuk ka bazë logjike, sikurse s’ka bazë argumenti për mbrotjen e kredibilitetit të shkollës.
“Deputete e nderume, kërkimfalja ju nderon. Megjithatë, mirëqenia dhe mbrojtja e nxënësve rregullohet e realizohet në shkolla, jo në shtëpitë e profesorëve apo në ahengjet e tyre private. Ky argument nuk ka bazë logjike sikurse s’ka bazë argumenti për mbrotjen e kredibilitetit të shkollës. Në çka cenohet shkolla apo nxënësi konkretisht në rastin në fjalë? Veç veprat e dënueshme me ligj janë të pahijshme në një shoqëri, krejt tjerat mbesin në rrafshin e perceptimit subjektiv të atij që i vëzhgon, prandaj nuk mund të ngrihen në norma morale”, iu kundërpërgjigj Kraki.