(E plotësuar 13:47) - Krasniqi pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun: PDK mbështet dialogun që siguron njohjen e ndërsjellë
Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pritur në takim liderët opozitarë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun u diskuta për zhvillimet politike në vend dhe rolin e PDK si udhëheqëse e opozitës në vend.
Krasniqi thotë se PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , e cila siguron njohjen e ndërsjellë pa cenuar sovranitetin shtetëror.
“Sot, në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, takova Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diskutuam për zhvillimet politike në shtetin tonë dhe për rolin e Partisë Demokratike të Kosovës si udhëheqëse e opozitës në vend. PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Haradinaj tregon se çka u diskutua në takimin me Escobarin dhe Lajçakun
Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pritur në takim liderët opozitarë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun thotë ta ketë ripërsëritur përkushtimin për një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht të obliguar e që epilog ka njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.
“Kam zhvilluar një takim sot, me emisarin amerikan Shkëlqesinë e tij Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shkëlqesinë e tij Miroslav Lajčak. Gjithashtu ishte kënaqësi ta takoja Ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, Shkëlqesinë e tij Jeffrey M. Hovenier. Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu i falënderova për angazhimin e tyre, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
***
Përfaqësuesi i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pritur në takim liderët opozitarë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë.
Në ditën e dytë të qëndrimit të tyre në Kosovë, dy emisarët kanë zhvilluar takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Takimi me të njëjtit ka përfunduar, derisa aktualisht po diskutojnë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Escobar dhe Lajçak kanë ardhur dje në vizitë në Prishtinë, ku janë takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkohë, nesër pritet të mbajnë një konferencë për medie.
***
Pas takimit me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka ftuar në takim edhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Si në çdo takim tjetër, edhe ky me Haradinajn po mbahet pa praninë e medieve.
Escobar e Lajçak takim kanë pasur edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
***
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, po zhvillojnë takim me kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi në ambasadën amerikane.
Escobar e Lajçak takim kanë pasur edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Mediat nuk kanë qasje brenda në ambasadë, vetëm pamje nga jashtë.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/February/01/850x636_dfdfdfdff1643706244.jpg)
***
Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot kanë nisur ditën e dytë të vizitës në Kosovë.
Ata janë duke zhvilluar takim në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës me përfaqësues të këtij subjekti politik.
Ata pritet të zhvillojë takime edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Escobar dhe Lajçak, gjatë ditës së djeshme, janë të takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurtin.