Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka përkujtuar dëshmoren Ylfete Humolli në 32 vjetorin e vrasjes.
Bulliqi ka treguar se Ylfete Humolli u vra në demonstratat e organizuara nga rinia shqiptare, të cilat po organizoheshin nën moton për liri e barazi në vitin 1990, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës.
“Edhe pse vetëm 16 vjeçare, ajo e kishte shumë të qartë situatën në të cilën po kalonte vendi ynë, andaj ajo me vetëdije të plotë bashkë me vëllaun e saj Mentorin, ju bashkuan demonstratave madhështore të asaj kohe duke rezistuar ndaj shtypjes dhe persekutimit që po i bëhej popullit të Kosovës”, shkroi ai.
“Ne sot kujtojmë me krenari veprën e Ylfetes dhe të gjithë atyre që flijuan vetën për lirinë e popullit.
Lavdi jetës dhe veprës së Ylfete Humollit dhe të gjithë dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të kombit shqiptar!”, përfundoi ai.