Ish- koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi Skender Hyseni, ka thënë se duhet që sa më parë të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thotë izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj. Stabiliteti afatgjatë i Kosovës dhe konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë përmes rrumbullakësimit të subjektivitetit të saj nuk është i mundur pa një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund te ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje. Janë çështje drejtëperdrejtë të lidhura. As Serbia nuk mund te bëj hapa përpara drejt integrimeve evropiane pa marrëveshje me Kosovën”.
Ai theksoi se arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi ka një rëndësi të veçantë sepse dobëson ndikimin rus në Ballkan.
“Marrëveshja me Serbinë ka edhe një rëndësi të veçantë, e që është dobësimi i ndikimit dhe rolit rus në Ballkan. Pra, qeveria e Kosovës duhet të harmonizojë politikat dhe interesat e saj me poltikat e partnerëve tonë në Ballkan dhe interesat e tyre”.
Mirëpo, Skender Hysenit i ka reaguar zyrtari i LVV-së, Avni Zogiani.
Ai përmes një postimi në facebook, shprehet se, Hyseni po e vë në pikëpyetje shtetin që e ka përfaqësu ish-koordinatori në këtë proces.
Zogiani pohon se, këta kanë menduar gjithmonë se duhet të pyesin Serbinë nëse duhet të kemi shtet.
“Qe ish-koordinatori për Dialog si e vënë në pikëpyetje shtetin që e ka përfaqësu në këtë proces: rrezikohet ekzistenca e shtetit nëse s'do Serbia, thotë... këta gjithmonë kanë mendu që duhet ta pyesim Serbinë nëse duhet të kemi shtet!
Edhe imagjinojeni kjo qasje ka qenë dominante për tërë kohën në Dialog!”, shkruan Zogiani në Facebook.