Policia e Kosovës ka arrestuar sonte kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj.
Deri te arrestimi i Molliqajt ka ardhur shkak i protestës së organizuar nga PSD-ja të shtunën, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Gjatë kësaj proteste, Molliqaj kishte goditur me shuplakë një zyrtar policor dhe që atëherë ishte në kërkim nga Policia e Kosovës.
Lidhur me mënyrën se si është arrestuar Molliqaj ka reaguar Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.
Cakolli hodhi kritika ndaj Policisë, duke thënë se dikur, përdorimi i njësive speciale për arrestimin e eksponentëve politik vlerësohej si indikator i shtetit (të kapur) policor dhe abuzim me resurset shtetërore për qëllime politike.
“Sot, situata është edhe më problematike e shqetësuese. Dardan Molliqaj qenka arrestuar nga njësitë speciale bash në kohën kur me ekzekutivin udhëheqë subjekti politik që ka qenë target i vazhdueshëm i veprimeve të tilla. Çka është më pak arrestim politik ky i sontmi se ata të kaluarit?”, shkruan Ckolli në postimin e tij.