Policia thotë se i la ftesën për paraqitje vullnetare Molliqajt, ai nuk e përfilli

Aktuale

Policia thotë se i la ftesën për paraqitje vullnetare Molliqajt, ai nuk e përfilli

Nga: N. Sh. Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 22:20
Dardan Molliqaj

Policia e Kosovës ka thënë se i ka lënë ftesë për paraqitje kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, por i njëjti nuk e ka përfillur, çka ka pasuar në arrestimin e tij gjatë natës së sotme.

Policia tutje shpjegoi se kishte kërkuar në adresat e banimit të Molliqajt, por pa rezultat. 

Përveç Molliqajt, i arrestuar është edhe aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani. Të dyve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë, sipas njoftimit të Policisë.

“Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të Shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari; A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin; -D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të dy akuzohen për “sulm ndaj personit zyrtar” në protestën e së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.

PSD-ja reagoi pas arrestimit të Molliqajt, duke pretenduar se arrestimi u krye në mënyrë të jashtëligjshme. 

Komunikata e plotë:

Kryhen dy arrestime të natyrës procesore

Prishtinë, 01 shkurt 2022 –  Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht Njësia e Hetimeve të Përgjithshme sot ka realizuar dy arrestime të natyrës procesorë.

Arrestimi i parë u krye në orët e paradites kur me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje prej 48 orësh i dyshuari;

A. M, mashkull 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Arrestimi i dytë u krye në orët e mbrëmjes, në dalje të Prishtinës me ç ‘rast, policia arrestoi të dyshuarin;

 D. M, mashkull 37 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

për të cilin po ashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e datës 29.01.2022.

Ndërkohë që policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat