'Dialogu duhet të kthehet në binarë, kjo është porosia e Lajçakut dhe Eskobarit'

Aktuale

'Dialogu duhet të kthehet në binarë, kjo është porosia e Lajçakut dhe Eskobarit'

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 22:43
Gabriel Escobar, Miroslav Lajçak

Opinionisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se procesi i dialogut është kthyer në proces teknik dhe, sipas tij, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Eskobar janë duke u munduar ta kthejnë aty ku duhet.

“Dialogu është kthyer në proces teknik, Escobar dhe Lajcak po mundohen ta kthejnë aty ku duhet”, ka thënë Vllahiu.

Ndërkaq, shtoi se porosia e këtyre dy emisarëve është që dialogu ‘të kthehet në binarë’.

“Procesi i dialogut duhet të kthehet në binar, kjo është porosia e Lajçakut e Eskobarit”, ka vazhduar ai.

Sipas tij një koordinim i tillë në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth përfundimit të procesit të dialogut, ka kohë që nuk është parë.

“Qasja e re mund të shihet në koordinimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi përfundimin e procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një diçka që nuk e kemi parë për një periudhë shumë të gjatë kohore, jo vetëm kur ka qenë presidenti Trump në administratën e ShBA-së por edhe më herët, për shkak se Bashkimi Evropian problemet e tij të brendshme nuk ka arritur që të bëjë një lloj bashkëveprimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar Vllahiu.

Vllahiu tha se vënia e dialogut si prioriteti i shtatë a i tetë nga qeveria ka qenë hap i dëmshëm, pasi, sipas tij, mund të prodhojë vetëm status quo.

“Qeveria e Kosovës që prej fillimit të saj vitin e kaluar, e ka deklaruar dialogun si prioritetin e shtatë, tetë apo të nëntë të saj, dhe ky ka qenë një prej hapave më të dëmshëm që ka mundur t’i ndodhë Kosovës, këtë e konsideroj të dëmshëm sepse procesi i dialogut me Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por edhe për rajonin e Ballkanit perëndimor, e në veçanti është i rëndësishëm për të ecur përpara shteti i Kosovës në fushën e ekonomisë, stabilitetit politik e në fusha të tjera. Ky prioritet i shtatë apo i tetë i Kosovës ka mundur të prodhojë vetëm një status quo, që prodhon veç destabilitet, konflikte që mund të zgjasin”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat