Escobar e rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, Lajçak: Mos u frikësoni nga Asociacioni

Aktuale

Escobar e rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, Lajçak: Mos u frikësoni nga Asociacioni

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 07:41
Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

(E plotësuar 11:22) - Lajçak: Të mos frikësoheni nga Asociacioni, askush nuk dëshiron një “Republikë serbe” në Kosovë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova të mos frikësohet nga themelimi i Asociacionit të komunave serbe, pasi një gjë e tillë, sipas tij nuk do të thotë krijimi i një “Republike serbe”. Ai ka thënë se Kosova ka marrë një zotim për Asociacionin dhe duhet të gjejë modelet për të implementuar atë, por pa imponimin e askujt.

Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Lajçak nënvizoi se respekton parimet e Kosovës në dialog.

Lajçak: Kosova mos të frikësohet për Asociacionin, askush nuk dëshiron një “Republikë serbe” në Kosovë

“Asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshjen dhe dakordimin e Kosovës. Unë dëgjoj shpesh këtë shprehjen se nuk duam një republikë të dytë serbe. Besoj se e kemi bërë të qartë shumë herë se askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Ka një parim universal i cili thotë se ato që janë dakorduar duhet të zbatohen. Këtë po iu themi dy palëve, po e themi këtë në Prishtinë, po e themi këtë në Beograd. Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e fundit, keni votuar shumë prej tyre, por është edhe një listë e gjerave të tjera që duhet të bëni. Asociacioni është një prej tyre. Pse të mos e ndryshojmë narrativën, pse të themi çka nuk duam, pse të mos themi çka duam. Si i shohim ne këto gjëra që funksionojnë. Nëse duam të përfundojë ekzistimi i strukturave paralele dhe sundim të ligjit në veri, e gjitha mund të bëhet në kuadër të sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Këshilla ime është mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’iu imponojë këtë, keni vetëbesim dhe ju jeni të vetëdijshëm se ju jeni bashkëpronarë të këtij procesi. Dilni me ndonjë qëndrim se si i shihni këto funksione, s’ka arsye të frikësoni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar bashkë me Serbinë”, tha ai.

Ai tha se ia ka bërë të qartë liderëve institucionalë dhe opozitarë në Kosovë se respektojnë integritetin, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e Kosovës në dialog.

Lajçak: Respektojmë parimet e Kosovës në dialog

“E kemi bërë të qartë në deklaratat dhe qëndrimet tona se ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog, që është integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti. Ne po ashtu kemi thënë se bashkësia ndërkombëtare ka pritur progres më të shpejtë në dialog në vitin 2021, shpresojmë se do të jetë kështu në vitin 2022. Ne kemi të gjitha elementet që duhet të mundësojnë një dialog më të dukshëm dhe progres më të shpejtë. Po ashtu, dua të vlerësoj faktin se partitë opozitare kanë dhënë mbështetjen për dialogun, e kuptojnë se dialogu nuk është një çështje vetëm e Qeverisë, por është çështje jetike për Kosovën dhe janë të gatshëm të mbështesin procesin”, shtoi Lajçak.

Lidhur me qëndrimet kritike të kryediplomatit evropian, Josep Borrell karshi Kosovës, Lajçak tha se ai është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë.

Lajçak: Borrell është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë

“Ai është i rreptë por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ai është i informuar për procesin dhe ne nuk kemi pasur aq shumë dialog vitin e kaluar, por ka shumë aktivitete bilaterale që zhvillohen mes Brukselit dhe Kosovës dhe Brukselit dhe Serbisë. Shpresoj se ky proces do të ketë më shumë dukshmëri dhe arritje më të mëdha shumë shpejt”, theksoi ai.

Sa i përket mundësive për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, Lajçak tha se një gjë e tillë nuk është çështje e dialogut, por kanë folur me krerët institucionalë për praktikat ekzistuese ndërkombëtare për të gjetur pëlqim reciprok të dy vendeve.

Lajcak: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e dialogut

“Kjo nuk është çështje e dialogut. Nuk ka marrëveshje në dialog që aranzhon organizimin e zgjedhjeve. Por s’ka fije dyshimi se çfarëdo vendimi që do të merret për zgjedhjet e 3 prillit do të ketë ndikim në dialog dhe atmosferë”, tha ai.

I pyetur për vonesat në liberalizimin e vizave, Lajçak tha se Kosova meriton t’i hiqet regjimi i vizave.

Lajçak: Kosova meriton që t’i largohet regjimi i vizave

“Jam me ju në këtë, unë vërtet mendoj se Kosova meriton që t’i largohet regjimi i vizave. Ka merituar para shumë kohe, Komisioni Evropian ka thënë që Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet. Por ju e dini se kjo çështje nuk është e dialogut por është çështje që kërkon marrëveshje konsensuale të 27 vendeve anëtare”, tha ai.

Pas vizitës treditore në Kosovë, Lajçak së bashku me Escobar do të vizitojnë Serbinë.

Escobar e rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, Lajçak flet për dialogun me Serbinë

Escobar dhe Lajçak njëzëri për Asociacionin: Marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe zëvendës-ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar kanë folur për takimet që kanë zhvilluar gjatë vizitës dy ditore në Kosovë.

Që të dy zyrtarët e lartë kanë thënë se shpresojnë në arritjen e një marrëveshje që do të funksiononte për Kosovën dhe Serbinë.

Referuar çështjes së Asociacionit, Esocobar dhe Lajçak kanë ritheksuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se sa i përket çështjes së Asociacionit nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës

“Nuk jemi pjesë e dialogut e as negociatave, por marrëveshjet paraprake duhet zbatuar. Nuk kemi ardhur me propozime të shkruara as nuk duam të imponojmë diçka, por dy vendet duhet të kenë vizione të qarta. Do të punojmë brenda kornizës së procesit të dialogut. Qëndrimi ynë sa i përket krijimit të Asociacionit; nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Nuk është qëndrim i SHBA-së për të imponuar diçka për të dy palët, por ne mund të ndihmojmë”, u shpreh Escobar.

Ndërkaq Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak ka potencuar se çështja e Asociacionit ishte pjesë e diskutimeve me krerët e shtetit në Kosovë.

“Vazhdimisht është çështje e pranishme në diskutimet tona. Kosova është palë e plotë në dialog, është 50 përqind e dialogut dhe duhet të ketë një dakordim nga pala e Kosovës. Sa i përket krahasimit me republikën serbe, kam thënë se askush nuk dëshiron republikë serbe, por ato marrëveshje që janë arritur duhet të zbatohen. Këtë e kam thënë edhe në takime. Nuk ka asnjë arsye që ju të jeni të frikësuar sepse ne jemi këtu që të sigurojmë që çdo marrëveshje që arrihet të jetë në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh Lajçak.

Lajçak: Kosova meriton t’i hiqet regjimi i vizave, kërkohet konsensusi i 27 shteteve anëtare

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova e meriton t’i hiqet regjimi i vizave.

Lajçak thotë se çështjen e vizave ia përmendin sa herë takohet me liderët e Kosovës, porse duhet konsensus i 27 shteteve anëtare të BE-së për këtë.

“Çështja e vizave natyrisht është çështje që ngrihet sa herë që jemi këtu. Jam me ju në këtë. Besoj se Kosova meriton t’i jepet regjimi pa viza. Ka merituar para shumë kohëve. Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka plotësuar gjitha kushtet. Por, nuk është çështje dialogu, kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare. Sa herë i informojë ministrat unë e ngrisë këtë çështje. Është e dhimbshme kjo çështje. Shpresoj që Kosova të marrë sa më shpejt liberalizimin e vizave”, ka thënë Lajçak në konferencë për media.

“Mandati im është i qartë, jam për të lehtësuar dialogun që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit. Me këtë definim BE-ja dëshiron të bëjë të qartë se u takon palëve se çfarë marrëdhënie duan të kenë. Ne nuk ua imponojmë këtë gjë. Nuk ka të bëjë dialogu me statusin e Kosovës, por me marrëdhënien me Serbinë”, ka thënë tutje ai.

E sa i përket deklarimeve të fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politika të jashtme Josep Borrell, se Kosova po është më pak e gatshme për dialog, Lajçak ka thënë se Borrell është më i rreptë por i drejtë.

“Borrell natyrisht se është përgjegjës për dialogun, e përcjellë gjendjen shumë më afër. Është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Nuk kemi pasur aq shumë dialog vitin e kaluar”, ka thënë Lajçak.

***

Përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se kjo administratë bashkë me të mëhershmet të SHBA-ve mbështetë fuqishëm pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës.

Ai ka thënë se si Kosova dhe Serbia do të arrijnë në një periudhë të normalizimit duhet t’i lihet dialogut.

Escobar është shprehur optimist lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Mendoj se në këtë rol si përfaqësues special është me rëndësi të bëjë vizitën e parë në Kosovë me të për të treguar unitet, përkushtimin ndaj dialogut, ndaj një të ardhme në të ndritshme si për Serbinë e Kosovën. Jemi takuar me udhëheqësit gjatë vizitës, kemi pasur takime shumë produktive. Në fund të këtij procesi shpresojmë se rezultat do të jetë një zgjidhje që do të jetë e mirë për të dyja. Kam besim se mënyra se si gjërat më duken e përkushtimi i partnerëve tanë bashkë me mbështetjen e amerikanëve këtë proces do të arrijmë”, ka thënë ai.

Lajçak: Respektojmë parimet e Kosovës në dialogun me Serbinë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se respektojnë parimet e Kosovës në raport me dialogun.

Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, Lajçak në një konferencë për medie, tha se respektojnë plotësisht sovranitetin, integritetin dhe kushtetueshmërinë e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“BE dhe ShBA kanë mbështetje për dialogun Kosovë-serbi. Ne shohim dialogun si prioritet kyç për Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të sjell përfitime, pasi qytetarët janë lodhur nga status quoja. Ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog që është sovraniteti, integriteti dhe kushtetutshmëria”, tha ai. 

Escobar e Lajçak: Vizita e përbashkët dëshmon bashkëpunimin që ka SHBA me BE për dialog, presim zgjidhje përfundimtare

Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd Miroslav Lajçak dhe e zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, kanë mbajtur një konferencë për shtyp, në lidhje me vizitën që e kanë zhvilluar për dy ditë në Kosovë, teksa janë takuar me krerët më të lartë të shtetit dhe ata partiak.

Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se vizita e përbashkët me Escobarin, dëshmon bashkëpunimin që ka SHBA me BE.

Ai ka thënë se të dyja palët duan ta ndryshojnë këtë faqe dhe shohim dialogun prioritet kyç.

“Jo vetëm që do të zgjidhem marrëdhëniet por edhe do të sjellë përfitime për qytetarë. Kjo do te krijojë vende pune dhe do të adresojë sundimin e ligjit. Jemi takuar me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti e me partitë opozitare dhe kemi bërë të qartë se respektojmë parimet e Kosovës në dialog. BE ka pritur progres më të shpejt në dialog dhe shpresojmë të jetë kështu në vitin 2022. Unë vlerësoj se partitë opozitare kanë dhënë mbështetje e dialogut dhe janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre të punës”, u shpreh ai.

Ndërsa përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë se vizita e tij në Kosovë dëshmon përkushtimin e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, teksa pret që zgjidhja të përfundimtare të jetë në të mirë të të dyja palët.

“Pikë së pari mendoj si rol është me rendësi të bëjë vizatën e parë në Kosovë për të treguar përkushtimin tonë sa i përket dialogut. Në fund shpresojmë që rezultat do të jetë një zgjidhje që do të jetë e mirë si për Serbinë poashtu edhe Kosovën”, ka thënë ai.

Pas të gjitha takimeve, Lajçak dhe Escobar sot dalin në konferencë

Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, do të mbajnë sot një konferencë për shtyp.

Konferenca e Lajçak dhe Escobar do të mbahet përmes platformës online “Zoom”.

Lajçak dhe Escobar kanë ardhur të hënën në Kosovë, dhe kanë takuar Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Europian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin.

Pas këtyre takimeve, zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan Escobar tha se SHBA-të fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Ndërkaq, Lajçak tha thënë se janë dakorduar që të përshpejtohet puna për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndërsa, krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ​Kurti ka thënë se Serbia është bllokuese e procesit të dialogut dhe sovraniteti e funksionimi shtetëror duhet të mbesin të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt.

Të martën, Lajçak dhe Escobar kanë takuar krerët e partive opozitare në vend, përfaqësues të shoqërisë civile, dhe përfaqësues të Listës Serbe.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj patën kërkesa dhe pritje identike nga dialogu me Serbinë në takimet e ndara që i patën me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Të ftuar me rend në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj njoftuan pas takimeve me dy diplomatët se aty i kanë shprehur të njëjtat kërkesa. Liderët e tri partive opozitare shprehën mbështetjen e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Ndryshe, vizita pesëditore e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia qysh në korrik të vitit 2021 nuk kanë zhvilluar asnjë raund bisedimesh të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat