(E plotësuar) - Lajçak: Të mos frikësoheni nga Asociacioni, askush nuk dëshiron një “Republikë serbe” në Kosovë
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova të mos frikësohet nga themelimi i Asociacionit të komunave serbe, pasi një gjë e tillë, sipas tij nuk do të thotë krijimi i një “Republike serbe”. Ai ka thënë se Kosova ka marrë një zotim për Asociacionin dhe duhet të gjejë modelet për të implementuar atë, por pa imponimin e askujt, raporton KosovaPress.
Në ditën e tretë të qëndrimit në Kosovë, në një konferencë të përbashkët me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Lajçak nënvizoi se respekton parimet e Kosovës në dialog.
Lajçak: Kosova mos të frikësohet për Asociacionin, askush nuk dëshiron një “Republikë serbe” në Kosovë
“Asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa marrëveshjen dhe dakordimin e Kosovës. Unë dëgjoj shpesh këtë shprehjen se nuk duam një republikë të dytë serbe. Besoj se e kemi bërë të qartë shumë herë se askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Ka një parim universal i cili thotë se ato që janë dakorduar duhet të zbatohen. Këtë po iu themi dy palëve, po e themi këtë në Prishtinë, po e themi këtë në Beograd. Si Kosovë keni bërë shumë zotime në 12 vitet e fundit, keni votuar shumë prej tyre, por është edhe një listë e gjerave të tjera që duhet të bëni. Asociacioni është një prej tyre. Pse të mos e ndryshojmë narrativën, pse të themi çka nuk duam, pse të mos themi çka duam. Si i shohim ne këto gjëra që funksionojnë. Nëse duam të përfundojë ekzistimi i strukturave paralele dhe sundim të ligjit në veri, e gjitha mund të bëhet në kuadër të sistemit kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Këshilla ime është mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’iu imponojë këtë, keni vetëbesim dhe ju jeni të vetëdijshëm se ju jeni bashkëpronarë të këtij procesi. Dilni me ndonjë qëndrim se si i shihni këto funksione, s’ka arsye të frikësoni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar bashkë me Serbinë”, tha ai.
Ai tha se ia ka bërë të qartë liderëve institucionalë dhe opozitarë në Kosovë se respektojnë integritetin, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e Kosovës në dialog.
Lajçak: Respektojmë parimet e Kosovës në dialog
“E kemi bërë të qartë në deklaratat dhe qëndrimet tona se ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog, që është integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti. Ne po ashtu kemi thënë se bashkësia ndërkombëtare ka pritur progres më të shpejtë në dialog në vitin 2021, shpresojmë se do të jetë kështu në vitin 2022. Ne kemi të gjitha elementet që duhet të mundësojnë një dialog më të dukshëm dhe progres më të shpejtë. Po ashtu, dua të vlerësoj faktin se partitë opozitare kanë dhënë mbështetjen për dialogun, e kuptojnë se dialogu nuk është një çështje vetëm e Qeverisë, por është çështje jetike për Kosovën dhe janë të gatshëm të mbështesin procesin”, shtoi Lajçak.
Lidhur me qëndrimet kritike të kryediplomatit evropian, Josep Borrell karshi Kosovës, Lajçak tha se ai është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë.
Lajçak: Borrell është i rreptë, por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë
“Ai është i rreptë por i drejtë si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ai është i informuar për procesin dhe ne nuk kemi pasur aq shumë dialog vitin e kaluar, por ka shumë aktivitete bilaterale që zhvillohen mes Brukselit dhe Kosovës dhe Brukselit dhe Serbisë. Shpresoj se ky proces do të ketë më shumë dukshmëri dhe arritje më të mëdha shumë shpejt”, theksoi ai.
Sa i përket mundësive për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, Lajçak tha se një gjë e tillë nuk është çështje e dialogut, por kanë folur me krerët institucionalë për praktikat ekzistuese ndërkombëtare për të gjetur pëlqim reciprok të dy vendeve.
Lajcak: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë nuk është çështje e dialogut
“Kjo nuk është çështje e dialogut. Nuk ka marrëveshje në dialog që aranzhon organizimin e zgjedhjeve. Por s’ka fije dyshimi se çfarëdo vendimi që do të merret për zgjedhjet e 3 prillit do të ketë ndikim në dialog dhe atmosferë”, tha ai.
I pyetur për vonesat në liberalizimin e vizave, Lajçak tha se Kosova meriton t’i hiqet regjimi i vizave.
Lajçak: Kosova meriton që t’i largohet regjimi i vizave
“Jam me ju në këtë, unë vërtet mendoj se Kosova meriton që t’i largohet regjimi i vizave. Ka merituar para shumë kohe, Komisioni Evropian ka thënë që Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet. Por ju e dini se kjo çështje nuk është e dialogut por është çështje që kërkon marrëveshje konsensuale të 27 vendeve anëtare”, tha ai.
Pas vizitës treditore në Kosovë, Lajçak së bashku me Escobar do të vizitojnë Serbinë.
**
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë thënë njëzëri se nuk do të imponojnë asnjë model të Asociacionit me pushtet ekzekutiv. Madje emisari i BE-së tha se nuk janë të interesuar të formojnë një “Republikë Serbe” në Kosovë.
Megjithatë, në një konferencë të përbashkët për medie, dy emisarët thanë se Kosova ka marrë përsipër një zotim dhe duhet të gjejë modele të zbatojë.
“Nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin e Kosovës. Duhet të gjinden modelet dhe implementohen. Nuk është qëllimi që të imponohet diçka. Është besim i yni që vendet në Ballkanin Perëndimor, që të gjitha vendet të njohin njëri-tjetrin dhe t’i bashkohen Bashkimit Evropian”, tha Escobar.
Më konkret për këtë temë u shpreh, Lajçak.
“Asociacioni është vazhdimisht temë e dialogut. Kosova është palë e barabartë në dialog, asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës. Askush nuk dëshiron një ‘Republikë serbe’ në Kosovë. Por keni një zotim që keni marrë, mos u frikësoni për diçka që nuk ekziston dhe dilni me qëndrime”, tha ai.