Escobar e Lajçak në Beograd kërkojnë nga Vuçiq dialog konstruktiv me Kosovën

Aktuale

Escobar e Lajçak në Beograd kërkojnë nga Vuçiq dialog konstruktiv me Kosovën

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 20:30
Pamje nga takimi

I dërguari i SHBA-së Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak, pas përfundimit të vizitës treditore në Kosovë, po qëndrojnë sonte për vizitë në Serbi si pjesë e përpjekjeve për vazhdimin e procesit të dialogut.

Ata me këtë rast janë takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilit i bartën mesazhin se BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut dhe se përpjekjet e tyre synojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Escobar dhe Lajçak shprehën mbështetjen e tyre për vazhdimin e një dialogu konstruktiv, si dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar se është thelbësore për të dyja palët që të të përmbushë të gjitha detyrimet.

Lajçak tha se BE-ja dhe SHBA-ja punojnë ngushtë së bashku dhe ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut dhe të ardhmen e të gjithë rajonit në BE, duke shtuar se përpjekjet e tyre synojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara.

Ndërsa, presidenti Vuçiq ka kritikuar palën e Kosovës “për provokime të njëanshme dhe pritje joreale nga ndërmjetësit në dialog.”

Ai shprehu besimin se vetëm me përpjekjet e përgjegjshme të të dyja palëve në dialog mund të arrihet një zgjidhje kompromisi dhe gjuha e përbashkët në interes të serbëve dhe shqiptarëve, përcjell N1.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat