Analisti politik Rrahman Paçarizi ka thënë se Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mungesë koherence në qëndrimet e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Unë këtu kam parë mungesë koherence të Miroslav Lajçak, i cili përpiqet ta arsyetojë Asociacionin me çështjen e transparencës financiare të komunave dhe me shuarjen e strukturave paralele. Është hera e dytë që shuarja e strukturave paralele na del si gogol për të realizuar diçka tjetër, për të ndërhyrë në rregullimin juridik të Kosovës. Kjo është mungesë koherence e Lajçakut, i cili asnjëherë deri më tash nuk ka arritur ta thotë në mënyrë të shkoqur, siç e kanë thënë zyrtarët amerikanë, që marrëveshja duhet të jetë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, siç është thënë më përpara dhe është përsëritur nga presidenti amerikan, Joe Biden, sekretari Antony Blinken dhe siç e përçoi edhe kësaj here Gabriel Escobar. Gjithmonë ka ambiguitete në deklaratat e [Miroslav] Lajçak, prandaj nuk duhet të shihet si një faktor kaq i rëndësishëm që mund të shtyjë procesin përpara”.
Në ndërkohë, Paçarizi krejt ndryshe e sheh kryeministrin e Kosovës. Ai tha se Albin Kurti është koherent në qëndrimin e tij për Asociacionin.
Madje, ai tha se deklarata e sotme e shefit të qeverisë kosovare nuk do të thotë zbrapsje nga qëndrimi i tij i mëhershëm që në Kosovë nuk duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Në këtë kuptim unë e shoh Albin Kurtin si shumë koherent në deklarimin e tij. Sot gjatë ditës kishte vlerësime dhe komentime se po pranohet Asociacioni, pasi Kurti ka thënë se ne nuk i frikësohemi Asociacionit dhe kjo është interpretuar si pranim i Asociacionit, madje është thënë që po hiqet dorë nga termi ‘Zajednicë’ dhe po përdoret termi Asociacion sa për ta arsyetuar pranimin. Unë mendoj që [Albin] Kurti është shumë koherent në qëndrimin e tij. Ai nuk foli për Asociacionin, por për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”.
Ai beson se Kosova mund ta pranojë Asociacionin si një kompromis vetëm kur të ketë një marrëveshje me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, përndryshe nëse e pranon tash do të jetë vetëm hapje e rrugës për kompromise të tjera.
“Ka qenë në fokusin e diskutimeve, por ka qenë me gjuhë të butë, madje në disa raste është thënë që nuk kanë ardhur për të imponuar modele të zgjidhjes për Asociacionin por Kosova ka obligime ndërkombëtare. A duhet tash Kosova t’i përmbushë këto obligime ndërkombëtare kur është në një proces që ka në fokus njohjen e ndërsjellë – kjo është një çështje që duhet diskutuar. Nuk mendoj se Kosova duhet ta pranojë Asociacionin pa e pasë një marrëveshje përfundimtare, sepse nuk i duhet asgjë Kosovës Asociacioni pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në momentin që ka një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje të ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë Asociacioni mund të jetë një nga kompromiset e radhës. Nëse Kosova tash e pranon Asociacioni apo nis zbatimin e tij atëherë Kosova do t’i nënshtrohet edhe kompromiseve të tjera kur të arrihet në fazën e marrëveshjes. Në këtë kuptim, Albin Kurti e ka shansin shumë të mirë që të kalojë në ofensivë në momentin kur Serbia nuk është e gatshme që ta çojë përpara dialogun derisa është në situatën parazgjedhore”.