(E plotësuar 16:48) - Gjatë ditës pritet vendimi nga gjykata për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Ky i fundit ishte arrestuar në mbrëmjen e së martës për veprën penale "sulmi ndaj personit zyrtar".
Pas përfundimit të seancës, avokati i tij, Arbër Rexha tha se arrestimi dhe kërkesa për masën e paraburgimit janë të paligjshme.
Rexha: Presim nxjerrjen e vendimit nga gjykata
"Presim nxjerrjen e vendimit nga gjykata. Çfarë mund të them, rasti është ajo që përveç që e konsiderojmë që kërkesa për masën e paraburgimit është e paligjshme. Konsiderojmë që edhe arrestimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, ngase nuk janë përfillur dispozitat ligjore të cilat janë të parapara me Kodin e Procedurës Penale. Si rrjedhojë e kësaj janë cenuar skajshëm të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç është e drejta e lirisë dhe sigurisë. Prandaj, presim vendimin nga gjykata", tha ai.
Më tej, mbrojtja e Molliqajt tha se ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë për paraburgim.
Rexha: Edhe për mbrojtjen ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë
"Edhe për mbrojtjen ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë, ngase në të pretendohej se ekziston rreziku i ikjes. Çka do të thotë se Molliqaj të ikur jashtë Republikës së Kosovës, në mënyrë që t'i shmanget drejtësisë. Gjithashtu, është pretenduar që i njëjti ka qenë në arrati. Siç keni parë në media dhe gjendja faktike është që Molliqaj asnjëherë nuk ka qenë në arrati. Thjesht nuk është bërë dorëzim i rregullt në bazë të mekanizmave, në bazë të procedurave ligjore", ka deklaruar Rexha.
Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e Dardan Molliqajt. Ky i fundit është arrestuar për shkak se kishte goditur një polic gjatë protestës të së shtunës që u mbajt kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës.
Përfundon seanca ndaj Molliqajt, pritet vendimi
Ka përfunduar seanca ndaj kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili sot ka dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.
Vendimi pritet të merret brenda pak orëve.
Nga kjo seancë pritet të dihet nëse Molliqaj do të lirohet në procedurë të rregullt apo se do të shkojë në paraburgim për 30 ditë. Në seancë janë duke marrë pjesë një numër i madh i zyrtarëve policorë.
Zëdhënësi i PSD-së, Dren Kukaj, ka thënë para mediave se presin lirimin e liderit të tyre. Ai ka mohuar edhe raportimet se PSD-ja do të protestojë sot për liderin e tyre.
Molliqaj u arrestua, të martën, pas incidentit që pati me zyrtarin policor në protestën e 29 janar kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Mbyllet për publikun seanca ndaj Dardan Molliqajt
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqajt, i dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, por kjo seancë është mbyllur për publikun.
Këtë e bëri të ditur gjyqtari i procedurës paraprake, Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Arrni tha se arsyetimin për këtë vendim do ta bëjë në formë të shkruar, pasi të kryhen procedurat.
Ndryshe në seancën e sotme gjykata do të vendosë lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Molliqajt.
Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani ishin arrestuar për përfshirje në sulm ndaj personit zyrtar, të ndodhur në protestën e 29 janarit 2022, protestë e cila u mbajt kundër shtrenjtimit të rrymës.
Policia kishte njoftuar se Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit, por nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, megjithatë i dyshuari nuk e kishte përfillur.
Në ndërkohë, policia publikoi edhe dy ftesat/vërtetimet mbi dorëzimin e thirrjes që ia kishte dërguar Molliqajt, për t’u paraqitur në stacion policor.