I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë thënë në Beograd se gjithçka për të cilën është arritur pajtimi në të kaluarën në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet, si dhe kjo sipas tyre vlen për të dyja palët.
Që të dy, gjithashtu kanë bërë thirrje për përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë deklaruar vazhdimisht se janë të gatshëm të shkojnë në Bruksel, kur të jenë të ftuar, si dhe që janë të përkushtuar ndaj procesit.
Ai shtoi se do të dëshironte të shihte “përparim në procesin e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese”.
“Ju kujtohet që pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, tha Lajçak.
Ndërkohë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut, por se e mbështetë atë dhe është e gatshme të ndihmojë.
Ai shtoi se qëndrimi i SHBA-së është që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të diskutohet dhe se për këtë i takon të dyja palëve të arrijnë pajtimin gjatë dialogut.
“Çdo marrëveshje që do të arrijnë, ne do ta mbështesim, financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, theksoi Escobar.
Këto komente Escobar dhe Lajçak i bënë pas përfundimit të takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë si dhe partitë e tjera opozitare në Serbi.
Escobar dhe Lajçak, pas vizitës në Prishtinës, vazhduan drejt Beogradit ku qëndruan në vizitë dy ditore./REL