Rrëzohet qeveria e Malit të Zi, kryeministër i ri pritet të jetë një shqiptar

Aktuale

Rrëzohet qeveria e Malit të Zi, kryeministër i ri pritet të jetë një shqiptar

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 15:57
Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq

(E plotësuar 22:19) -  Gjeka: Asnjë qeveri nuk duhet të vë në pikëpyetje pranimin e Kosovës nga ana e Malit të Zi

Në seancën e sotme parlamentare në të cilën u rrëzua Qeveria e Malit të Zi  mori pjesë edhe deputeti i Koalicionit shqiptar Fatmir Gjeka, i cili tha se qeveria e Krivokapiq ishte kundërshtari me i madh i vetvetes dhe askujt nuk do t’i vijë keq për të.

“Çdo qeveri e cila siguron qetësi dhe stabilitet, avancon bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet me NATO-n, nuk bjen në pyetje pranimin ndërkombëtar të Kosovës nga ana e Malit te Zi, pastaj punon në procesin e integrimit në Unionin Evropian dhe ka qasje ndaj Rusisë në harmonizim me politikën e përbashkët të Unionit Evropian, do të jetë e pranueshme për Bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi deputeti Gjeka.

Deputetët e Kuvendit të Malit te Zi, pas një seance maratonike, votuan për shkarkimin e qeverisë me 43 vota pro, me 11 vota kundër dhe pa abstenime.

***

Image
Zdravko Krivokapiq gjatë debatit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, 4 shkurt 2022.

 

Kuvendi i Malit të Zi votoi mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq - me çka merr fund mandati i kësaj qeverie.

Për shkarkimin votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11.

Nga 81 deputetë, 54 votuan.

Për rrëzimin e Qeverisë votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Votimi i mosbesimit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e Qeverisë së re.

Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh më 4 dhjetor të vitit 2020, me votat e Frontit Demokratik pro-serb, të Demokratëve dhe të Lëvizjes Qytetare URA.

Këto parti mposhtën Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet e gushtit të atij viti.

Por, prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit - atyre pro-serbë dhe pro-evropianë - gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.

Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.

Më herët, Demokratët - që ishin pjesë e koalicionit të deritashëm - reaguan ashpër ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit, kryesisht për faktin se nisma do të votohej me votat e opozitës.

Boris Bogdanoviq, nga Demokratët, e cilësoi iniciativën si tradhti:

“Ata që premtojnë një gjë, bëjnë një tjetër dhe përfundojnë me DPS-në... Ne nuk kemi mesazh tjetër, përveçse tradhti”.

Kuvendi i Malit të Zi, gjatë ditës së premte, refuzoi të diskutojë propozimin e Krivokapiqit për shkurtimin e mandatit të legjislativit.

Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit, për të mos e futur atë pikë në rend dite.

Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetët nga opozita.

Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Kuvendit.

***

Këtë të premte, qeveria e Malit të Zi e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq nuk e ka kaluar mocionin e mosbesimit, rrjedhimisht është rrëzuar.

Deputetët e opozitës dhe opozitës të klubit parlamentar “Bardhezi” i votuan mosbesimit Qeverisë

Mosbesimin e Qeverisë i votuan 43 deputetë të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi”.

Kundër ishin 11 deputetë (Demokratët, të Drejtat dhe Mali i Zi i Bashkuar).

Para votimit, deputetët e Frontit Demokratik (DF), Lëvizjes për Ndryshim (PzP) dhe Partisë Popullore Socialiste (SNP) u larguan nga salla plenare.

Kryeministër i ri, pritet të jetë shqiptari Dritan Abazoviq që pritet ta formojë qeverinë e pakicës.

Debati për mosbesimin ndaj Qeverisë së Malit të Zi, demokratët reagojnë ashpër

Parlamenti i Malit të Zi ka filluar debatin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.

Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, duke shpjeguar propozimin tha se kriza aktuale në Mal të Zi duhet të zhbllokuar.

Ndonëse Qeverinë e quajti historike, sepse është e para pas qeverisjes tridhjetëvjeçare të Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq, Konatar vlerësoi se ajo e ka arritur limitin.

“Vendimi është i vështirë, por është në interes të qytetarëve të Malit të Zi. Mali i Zi është në bllokadë politike institucionale. Kjo qeveri ka funksionuar si qeveri e pakicës që nga fillimi dhe nuk kemi mundësi të marrim mbështetje për zhbllokimin e gjyqësorit dhe të kthejmë Malin e Zi në Bashkimin Evropian”, tha Konatar.

Image
Parlamenti i Malit të Zi gjatë debatit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, 4 shkurt 2022.

 

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijel Zhivkoviq, në opozitë deklaroi se kjo parti është gati të bashkëpunojë me të gjithë për ta çuar vendin në rrugën e prosperitetit. Zhivkoviq ishte i indinjuar me partitë e shumicës parlamentare, sepse ata zgjodhën Krivokapiqin si kryeministër.

“Në thelb një autokrat, një fanatik fetar, i cili përqafoi të mirat materiale duke ardhur në Qeveri”, tha Zhivkoviq.

Demokratët reaguan ashpër ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit, kryesisht për faktin se nisma do të votohet me votat e opozitës. Boris Bogdanoviq nga demokratët e ka quajtur vazhdimisht iniciativën tradhti:

“Ata që premtojnë një gjë, bëjnë një tjetër dhe përfundojnë me DPS-në, ne nuk kemi mesazh tjetër përveç se është tradhti”.

***

Më herët, të premten, Parlamenti malazez refuzoi të diskutojë propozimin e kryeministrit Krivokapiq për shkurtimin e mandatit të legjislativit. Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit për të mos e futur atë pikë në rend dite.

Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetë nga opozita.

Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Parlamentit.

Pika tjetër e rendit të ditës është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit e propozuar nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Millo Gjukanoviq.

Ndonëse në fillim të seancës parlamentare erdhi kryeministri Krivokapiq dhe një numër tjetër ministrash, në sallën plenare mbeti vetëm ministri i Investimeve Kapitale, Mlladen Bojaniq.

Në rast se Kuvendi e voton mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit, ky do të jetë një fillim i negociatave për formimin e qeverisë së re.

Nisma për rrëzimin e Qeverisë është nënshkruar nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deutetë në Kuvend.

Epilogu i krizës politike

Votimi i propozimeve të përmendura paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit, më 4 dhjetor 2020.

Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh me votat e tri koalicioneve fituese të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.

Qeveria qysh në fillim nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të kryeministrit Krivokapiq dhe Frontit Demokratik, një pjesë e partive në pushtet disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave, atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiq apo të zëvendëskryeministrit Abazoviq.

Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiq tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.

Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.

Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, tha se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat