Inspektorati Policor i Kosovës e ka rekomanduar suspendimin nga puna të tre zyrtarëve policorë, pasi të njëjtit nuk e kishin ndalur politikanin serb, Milan Radojçiq, kur u arratis në pikën kufitare në Bërnjak.
Media merr vesh se tre policët e suspenduar janë të komunitetit serb dhe ata janë Milos Dancetoviq, Jovan Jokoviq dhe Goran Milivojeviq.
Të njëjtit po dyshohet se ishin duke bashkëpunuar me Radojçiqin, duke marrë parasysh se nuk e kishin arrestuar atë dhe kamerat e sigurisë ishin ndalur rreth 1 orë e 20 minuta para se ai të arrinte në pikën kufitare.
Nënkryetari i Listës Serbe ishte shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare, pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.
Pas kësaj kishte reaguar edhe partia e tij, e cila konsideron se po bëhet persekutim i përfaqësuesve politikë serbë.
“Për hir të së vërtetës, theksojmë se në bazë të informacioneve që disponojmë, kërkesa për arrestimin e zotit Radojçiq nuk përmban asnjë provë apo ndonjë veprim të kundërligjshëm që ai ka bërë, por në përgjithësi flet për një rast të iniciuar në lidhje me dhënien e lejeve për ndërtimet në komunën e Shtërpcës, me të cilat Radojçiq nuk ka të bëjë”, thuhej në deklaratën e Listës Serbe.
Vlen të përmendet se në dhjetor të vitit 2021, Radojçiq dhe disa bashkëpunëtorë të tij serbë në Kosovë janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar. Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar. Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme u raportua se Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak.
Në raportin 24 orësh Policia ka dhënë detaje se si Radojçiq u shpëtoi nga duart.
Policia njofton se gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë.
“PKK Bërnjak 03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Ndaj Radojçiq është hapur rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.