Detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale e mori para më shumë se 2 vitesh.
Por Blerim Isufaj, ambicien e ka më të lartë se kaq.
Të enjten ky dorëzoi aplikimin për të kandiduar për pozitën më të lartë në organin e ndjekjes, atë që aktualisht e mban Aleksandër Lumezi.
Homologun e tij në Prokurorinë Themelore do e ketë kundër-kandidat në garë.
Edhe kryeprokurori i Themelores në Prishtinë konfirmoi pjesëmarrjen në garë.
Garës mes dy kryeprokurorëve iu bashkëngjit edhe Prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Madje Armend Hamiti thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me programe me të dy.
Pos këtyre, edhe prokurorët Arben Ismajli, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu janë bërë pjesë e garës.
Ndonëse ka përfunduar aplikimi në orën 16 të së premtes , kandidatët mund t’i dorëzojnë dokumentet edhe me postë deri me datë 7 shkurt.
Nga shoqëria civile kërkojnë transparencë të lartë në këtë proces shumë të rëndësishëm.
Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.