Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pas suspendimit të zyrtarit policor nga Prishtina Amir Hoxha.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se suspendimi i Hoxhës është i nxituar.
“Veprim i nxituar suspendimi i Amir Hoxhës, i cili edhe me ligj ka për detyrë hetimin e shpërdorimit të të mirave publike”, shkruan Haradinaj.
Tutje ai ka ftuar organet kompetente të rishikojnë vendimin e tyre për suspendimin e Amir Hoxhës. Haradinaj ka përmendur edhe rastin ku ky zyrtar ka shpëtuar jetën e një qytetari ditë më parë.
“Ftoj organet kompetente për rishikim të vendimit dhe rikthimin e Amirit në vendin e punës! Përkundrazi, ai duhet të njihet si Hero pasi që para pak ditësh arriti ta shpëtojë jetën e një qytetari”, shtoi ai.
Amir Hoxha ka njoftuar se është suspenduar për tre ditë pas një postimi që ka bërë dje në Facebook për pakënaqësinë e tij rreth mospagesës së shujtave për policët.