Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, duhet të shfuqizojë vendimin për heqje dorë nga mëditjet për karburante.
Ai ka thënë se vendimi i marrë nga VV-ja, është popullist, ndërsa deputetët që kanë fryer mëditjet, duhet t'i kthejnë ato në llogarinë e Kuvendit të Kosovës, përcjell Bota sot.
Gashi ka kujtuar një deklaratë të tij të vitit 2017, ku ishte thënë se nëse VV-ja vjen në pushtet, ndoshta vetëm Kurti do të mbetet i pakorruptuar.
Reagimi i Gashit në Facebook:
Vendimi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! që deputetët e këtij subjekti politik të heqin dorë nga mëditjet për karburante - është vendim tipik popullist, sepse deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nuk banojnë në Prishtinë, duhet t'u paguhen shpenzimet e udhëtimit.
Mirëpo, problemi këtu është se disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje!, sikurse edhe deputetë të partive tjera politike, i kanë fryer/sajuar mëditjet për karburante.
Prandaj, Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! duhet ta shfuqizojë këtë vendim popullist, kurse deputetët që i kanë fryer / sajuar mëditjet për karburante, duhet të paktën të kërkojnë ndjesë e t'i kthejnë paratë në llogarinë e Kuvendit të Kosovës.
Ju kërkoj ndjesë, por më duhet t'i referohem titullit të një interviste të dhënë më 4 korrik 2017 për kosovo 2.0: "Nëse VV vjen në pushtet, ndoshta vetëm Kurti do të mbetet i pakorruptuar"./Botasot