Një status në Facebook u bë shkas që Amir Hoxha të suspendohet për tri ditë nga puna si polic.
Ky reagoi ndaj shpenzimeve të deputetëve për karburant, duke bërë krahasim me mospagesat për shujta e shtesa për zyrtarët e rendit.
Me këtë masë nuk po pajtohet vetë polici duke e cilësuar si mohim të fjalës së lirë.
Suspendimi treditor i Hoxhës është i paarsyeshëm edhe sipas avokatit Naim Rudari.
E sqarime më të hollësishme do të kërkojë sindikata e policëve që thotë se me kërkesat e ruajtësve të rendit është marrë vazhdimisht.
Kundër suspendimit kanë dalë edhe partitë opozitare, duke thënë se mekanizmat shtetëror nuk duhet të përdoren për t’ua mbyllur gojën kritikuesve të pushtetit.
Amir Hoxha para një muaji mori epitetin e heroit, pasi arriti ta shpëtojë nga vetëvrasja një person në parkun e Gërmisë në Prishtinë.