Kosova pritet të furnizohet të martën me mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer nga SHBA

Aktuale

Kosova pritet të furnizohet të martën me mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer nga SHBA

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 13:00
Foto ilustrim

Një kontingjent tjetër i vaksinave kundër koronavirusit do të arrijnë të martën në Kosovë.

Bëhet fjalë për mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer. Lajmin ka konfirmuar, Drin Podrimqaku, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Po të martën do të arrijnë 515,970  doza të vaksinës Pfizer”, ka thënë Podrimqaku. Ai ka bërë të ditur se këto vaksina janë donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Janë donacion i ShBA-ve përmes mekanizmit të COVAX”, u shpreh Podrimqaku.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë në gusht të vitit 2021 kishin pranuar 35 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19, pjesë e donacionit të SHBA-ve për Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se këto doza e sjellin 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të Kosovës për vaksinimin.

“Sot SHBA dhuroi kontingjentin e parë nga 500,000 doza Pfizer për Kosovën, duke e sjellë atë 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të vaksinimit. E dhënë përmes COVAX, kjo dhuratë përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis njerëzve tanë. Së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, kishte shkruar Blinken.

Kujtojmë se mars të vitit të kaluar, presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani i ishte drejtuar presidentit amerikan Joe Biden me kërkesën që ta ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinave.

Më shumë se 1.7 milion doza të vaksinës kundër COVID-19 janë dhënë që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vaksinimi mbetet mënyra më praktike dhe më efektive për t’u ballafaquar edhe më tej me pandeminë.

“Vaksinimi kundër COVID-19 mund të ulë rrezikun nga infektimi dhe përhapja e virusit që e shkakton COVID-19. Vaksinat, gjithashtu, ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjes”, thuhej në njoftimin e MSh-së.

Vetëm në 24 orët e fundit janë dhënë 2,407 doza të vaksinës kundër COVID-19.  Deri më sot 807.900 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 87.965 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat