Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mos mbështetje të mocionit për të diskutuar në lidhje me vendimin e Bordit të ZRRE-së, për rritjet ë tarifave të energjisë elektrike.
Kërkesë tjetër e tyre është edhe shkarkimi i bordit të ZRRE-së, me ç’rast thonë se janë të paaftë.
Në një konferencë për medie, Tahiri tha se me seancë të jashtëzakonshme do të kërkojnë anulimin e këtij vendimi.
“Sot propozuam mocion për vendimin e anulimit të vendimit të ZRRE-së që nuk duhet të kalojë. Një kërkesë e tillë nuk u votua nga deputetët e Vetëvendosjes. Sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që rëndon jetën e çdo qytetari. Kostoja po bëhet e papërballueshme për qytetarë. Mos angazhimi i Qeverisë po rëndon gjendjen sociale në vendin tonë. Pagë e cilido që paguhet nga buxheti i Kosovës e bënë të papërballueshme koston e shpenzimeve. Kemi kërkuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshëm dhe këta kanë qëndruar të heshtur. Kemi ngritur edhe shqetësime sa i përket menaxhmentit të KEK-ut. Në vazhdimësi kemi parë mos përfillje që po e pret Kosovën. Tash kemi fluks të largimit të njerëzve nga Kosova. Vendimi i sotëm i ZRRE-së veç sa do t’i rritë kërkesat e qytetarëve për t’u larguar nga Kosova. kërkuam që ky bord të shkarkohet sepse janë njerëz të paaftë që po e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë. Ne do të ftojmë seancë të jashtëzakonshme që të anulohet ky vendim”, u shpreh Tahiri në një konferencë për medie.