Shefja e grupit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ata i kanë proceduar Kryetarit të Kuvendit një kërkesë për autorizimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për shpenzimet mujore.
“Ritheksojmë se deputetët e Lëvizjes heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, ndërsa shprehemi të gatshëm të kontribuojmë në përmbajtjen e vendimit të ri për lartësinë e kompensimit të deputetëve duke ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e diskutimit kur të fillojë puna në vendimin e ri” , ka shkruar ajo në rrjetin e saj social “Facebook”,
Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje është vënë në qendër të kritikës nga publiku pasi deputetët e saj përfituan mjete financiare ne emër të kompensimeve për udhëtimet të cilat i kanë realizuar në Prishtinë ku kanë marr pjesë ne seanca seanca parlamentare dhe takime tjera të komisioneve.
Postimi i plotë:
Sot Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka proceduar kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të autorizohet Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për të rishikuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit të deputetit për funksion udhëheqës dhe kompensimin e shpenzimeve mujore.
Poashtu, e ritheksojmë se deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, heqin dorë vullnetarisht nga kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione, ndërsa shprehemi të gatshëm të kontribuojmë në përmbajtjen e vendimit të ri për lartësinë e kompenzimit të deputetëve duke ftuar të gjitha palët e interesuara të bëhen pjesë e diskutimit kur të fillojë puna në vendimin e ri.