Në seancën e jashtëzakonshme lidhur me vendimin e ZRrE-së për çmimin e energjisë elektrike tri partitë opozitare po kërkojnë që ky vendim për rritje të çmimit të revokohet.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri u shpreh se nëse nuk reflekton Kuvendi i Kosovës atëherë të tri partitë këtë vendim të ZRrE-së do e dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, mungesa e kabinetit qeveritar dhe vetë kryeministrit Albin Kurti në këtë seancë tregon se ky vendim ka ardhur me direktiva të vetë Qeverisë.
Tahiri: Ky çmim duhet të revokohet
“Kërkesa jonë si grup parlamentar dhe si opozitë është shumë e thjeshtë: ky çmim duhet të revokohet. Këtë ngritje të çmimit të energjisë elektrike do ta ndalim, do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat e mundshëm. Sot jemi në Kuvend, nëse nuk ka reflektim do të vazhdojmë ashtu siç thënë nga PDK dhe LDK në apelim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa mosprezenca e Qeverisë, e kryeministrit, ministrave që nuk linin të zezë edhe justicka, nuk linin gurë pa hedh në neve ndërsa mungesa e tyre këtu tregon thjeshtë që ky vendim është ardhur me direktivën e Qeverisë, ka ardhur me direktiva të mirë sinkronizuar dhe koordinuar në dëm të qytetarëve”, tha ai.
Tutje ai ka adresuar kritika edhe për mungesën e deputetëve të mazhorancës në sallë, ndërsa ka vazhduar që vendimin e ZRrE-së ta quaj diskriminues dhe politik.
Tahiri: Vendimi i ZRrE-së diskriminues dhe politik
“Për një vendim i cili është diskriminues, i cili është politik e i cili është në plotni i ndërtuar mbi një sinkroniizmi të Qeverisë së Kosovës dhe të ZRrE, shihni tarifat, shihni ngritjen e çmimeve dhe shihni pozicionin e Qeverisë. Dje në këtë seancë AAK nuk e ka lëshuar sallën, kemi qëndruar në sallë për të debatuar për ligje, për vendime, për raporte që ne i kemi konsideruar të rëndësishme. Sot Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk është këtu, grupi parlamentar më i madh e injoron debatin mbi një çështje e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme kjo tregon për papërgjegjësinë, kjo tregon për ikjen nga debati dhe mbi të gjitha kjo tregon se si ka qenë i sinkronizuar nga Zyra e Rregullatorit”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ështëtepër e rëndësishme që ky Kuvend përmes një rezolute të jap udhëzim të saktë, të qartë për revokim të vendimit diskriminues dhe politikave të ZRrE-së.
Tahiri: ZRrE është kthyer në një instrument të Qeverisë
“Mendojmë se është kruciale dhe tepër e rëndësishme që ky Kuvend përmes një rezolute, qëndrimi politik, të jap udhëzim të saktë të qartë për revokim të vendimit diskriminues dhe politikave të ZRrE-së, i cili sipas tij tani më ka hyrë në fuqi, qytetarët e Kosovës kanë marr mesazhe nga KESCO se tarifat e reja kanë hyrë në fuqi. ZRrE që tashmë është kthyer në një instrument të Qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejt, direktivat dhe deklarimet e Qeverisë dhe shumicën parlamentare. Shihni tarifat që i ka vendosur dhe vendimet që i kanë dhënë dhe aty i gjeni. Tashmë për qytetarët e Kosovës është e qartë se vendimi nuk është i pavarur. Qytetarëve të Kosovës nuk iu është paraqitur qartë çmimi i rritjes, as reflektimi i kostos reale të prodhimit nga kapacitet tona e importi, por provohet në format më të ulëta që kjo çështje të paraqitet si një rritje që nuk afekton qytetarët”, u shpreh Tahiri.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike dje ka miratuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët, ndërsa vendimi nga sot ka hyrë në fuqi dhe vlen deri më 31 mars. Ata që konsumojnë mbi 800 kilovatë është tarifa e lartë prej 12.5 cent dhe tarifa e ulët 6.75 cent.