Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka drejtuar akuza në drejtim të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të cilin tha se ka mashtruar qytetarët për 20 vite.
“Edhe në seancë më herët e patë thënë një të pavërtete. Ky njeri dhe grupi i tij nuk ka njohuri rreth prodhimit të energjisë. Kjo është tallje me qytetarë. Po u vënë hije qytetarëve. Këta e kanë keqpërdor që po qesin lot krokodili. Nëse është dikush që i ka mashtruar qytetarët është ish kryeministri. Këta janë mashtrues dhe 20 vjet kanë mashtruar me qytetarin”, ka thënë ai
Por fjala e deputetit Thaçi siç duket e ka befasuar deputetin e AAK-së, Pal Lekaj. Ky i fundit tha se për herë të parë po e dëgjon zërin e tij.
Teksa ka kritikuar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë, Lekaj ka thënë se qytetarët do të hyjnë në krizë të thellë të varfërisë.
“Po më duket që për herë të parë i’a dëgjova zërin deputetit Thaçi. A nuk është mashtrim mos prezenca e qeverisë për qytetarët. Ma mashtrues nuk ka se kjo qeveri që ka ardhur në pozitë duke iu premtuar qytetarëve mos shtrenjtim të energjisë. A është mashtrim për kryeministrin që na ka lajthitur me shumë propozime të tij. Nuk ka lajm më të keq se vendimi i djeshëm i ZRRE-së. Pas pak ditëve do të hyjmë në krizë të thellë të varfërisë. Qeverinë e kemi paralajmëruar që do të vijë në një krizë të thellë energjetike”, tha Lekaj.