Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Aktuale

Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria e Kosovës

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 13:28
Qeveria e Kosovës

Tri vendime dhe gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe që janë na pajtim me fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, i ka miratuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme ishte themelimi i Këshillit Organizativ për manifestimin gjithë-popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të mbahet nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

Duke vlerësuar se Epopeja e UÇK-së e ndryshoi historinë e Kosovës për mbarë dhe e bashkoi popullin tonë, duhet të kujtojmë ditët 5, 6 dhe 7 mars, sakrificën e familjes Jashari dhe qëndresën e tyre, tha Kryeministri Albin Kurti. Duke propozuar këtë Këshill, Kryeministri theksoi: “Gjithçka që bëjmë e veprojmë, çdo progres i yni duket pak, krahas gjithçkaje, që ata dhanë. Duke iu falënderuar atyre, dëshmorëve e martirëve, jemi edhe ne sot këtu. Kujtimi për ta na bën të vetëdijshëm, që ata nuk harrohen, që ne duhet të qëndrojmë, të mos dorëzohemi e ta ndërtojmë Republikën, që ua kemi borxh”.

Kryeministri propozoi Këshillin Organizativ në këtë përbërje:

1.     Z. Armend Mehaj, Ministër i Mbrojtjes, Kryesues;

2.     Znj. Donika Gërvalla - Schwarz, Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës;

3.     Z. Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;

4.     Znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, anëtare;

5.     Z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;

6.     Xhelal Sfeçla, Ministër i Punëve të Brendshme, anëtar;

7.     Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

8.     Bislim Zogaj, Drejtor i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, anëtar.

Gjithashtu ftohen ta dërgojnë nga një përfaqësues në Këshill:

1.     Zyra e Presidentes;

2.     Kuvendi i Kosovës;

3.     Komuna e Prishtinës;

4.     Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së;

5.     Asociacioni i Komunave të Kosovës;

6.     Organizatat e Shoqërisë Civile.

Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.

Marrë parasysh nismën e Qeverisë në drejtim të themelimit të Fondit Sovran, është e domosdoshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre në qëllim të interesit shtetëror, përmes Fondit Sovran. Andaj, me qëllim të përmbushjes së obligimeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në pajtim me politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ky Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, plotëson/ndryshon vendimin e Qeverisë Nr.07/09 i datës 01.07.2020.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve të Bjellorusisë që janë të lidhura  me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimi për individët dhe entitetet në Republikën e Kosovës që të vënë fonde në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Në parim kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve financiare për IPA 2021 dhe IPA 2022, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Këto marrëveshje do të sigurojnë zbatimin e programeve vjetore dhe IPA 2021 parasheh përfitimin e 63,96 milion euro për projekte investive në vendin tonë dhe 70,25 milionë nga IPA 2022.

Edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën  Financiare në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III), ka marrë miratimin në mbledhjen e sotme. Kjo marrëveshje do të sigurojë krijimin e bazës ligjore që Kosova të ketë qasjen në këto fonde.

Në pritje të finalizimit të marrëveshjes me Gjermaninë për njohjen reciproke të patentë shoferëve, në mbledhjen e sotme janë miratuar vendimet për dy nisma për lidhje të marrëveshjeve me Qeverinë e Kanadasë dhe me Qeverinë e Republikës së Turqisë, për njohjen reciproke të patentë shoferëve. Ministria e Punëve të Brendshme është autorizuar të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme  për lidhje të këtyre marrëveshjeve.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes financiare me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do t’i siguronte Kosovës 6,315 000 (gjashtë milionë e treqind e pesëmbëdhjetë mijë) euro që do të dedikohen për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë në vendin tonë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat