Gjatë ditës së sotme u arrestuan tre zyrtarë të Komunës së Kamenicës dhe një biznesmen për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe mashtruan në prokurim publik me një tender në vlerë mbi 35 mijë euro.
Për këtë çështje, i pari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thirrur një konferencë për media, e cila do të fillojë në ora 19:00.
“Nga ora 19:00 në sallën e Kuvendit Komunal në Kamenicë, mbahet konferencë për media ku do të informoheni për rastin e arrestimit të zyrtarëve komunal. I ftojmë të gjitha mediat qendrore dhe lokale të marrin pjesë”, shkroi ai në Facebook.
Sipas Policisë, të dyshuar janë komisioni vlerësues i Komunës së Kamenicës, që përbehet nga P.J., I.Z. dhe F.D., dhe pronari i një kompanie, A.K..
Siç mëson Paparaci, bëhet fjalë për biznesmenin Avdi Koca, i cili dyshohet se ndonëse e ka fituar tenderin nga Komuna e Kamenicës për furnizimin shkollave me dollapë, i njëjti nuk e ka dorëzuar mallin.
Kështu, sipas policisë, Koca dyshohet se ka fituar saktësisht 35 mijë e 731,50 euro në mënyrë të kundërligjshme nga buxheti i Komunës së Kamenicës.
Në bazë të kontratës të siguruar nga mediumi, më 13 nëntor të vitit 2020, ishte firmosur marrëveshja mes kompanisë së Kocas “A.R.F. SH.P.K” dhe Komunës së Kamenicës, për “Furnizim me dollapë për shkolla”.
Kjo kompani, në të cilën sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), pronar është Avdi Koca, ka kapital 2 mijë euro dhe gjendet në Fushë Kosovë.
Policia njoftoi se të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit, pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
“Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme”, thuhet në njoftimit e Policisë.