Drejtori ekzekutiv i INDEP-it, Burim Ejupi, ka folur për situatën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Ai ka theksuar se Qeveria Kurti ka reaguar më vonë se qeveritë e rajonit për krizën me rrymën, pasi sipas tij, kjo ishte e ditur se do të ndodhte kjo.
“Në vitin 2021 askush nuk është marrë me këtë, nuk është asnjë politikë që e promovon efiçencën e enegjisë. Kanë qenë dy-tre muaj që konsumatorët do të mund të bëheshin gati, dhe do të gjenin një formë më ndryshe apo më të leverdishme të ngrohjes. Derisa Shqipëria e ka shpallur gjendjen e emergjencës në fund të gushtit, Kosova e ka shpallur në fillim të dhjetorit, kështu që për ata katër muaj nuk e kam parë Qeverinë të bëjë ndonjë gjë”,ka thënë Ejupi.
Ejupi i ka bërë thirrje ekzekutivit që nga sot të gjejë forma për menaxhimin më të mirë të kësaj gjendje.
“Tash, duhet të mendohet se cilat janë masat që i jep Qeveria për fushën e efiçencës së energjisë, ndonjë subvencion, apo duhet të largohet ndonjë TVSH. Qeveria tani duhet të bëjë masa të tjera, pra politika publike të cilat e zbusin këtë situatë, kjo që kur të jemi në janarin e viti 2023, subvencionet mund të mos ekzistojnë fare. Ideja është se do të përsëritet edhe për tjetrin vit, tani duket të punohet me hapa më të shpejtë”,ka potencuar Ejupi.