Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se së shpejti do të mbahet seanca fillestare ndaj shefit të kabinetit në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal Yildiray Bajrami.
Në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës kanë thënë se për shkak të ngarkesave me lëndët e viteve paraprake ka bërë që të mos mbahet asnjë seancë deri më tani ndaj këtij rasti.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se lënda me numër P.nr.5412/19 është në shqyrtim paraprak dhe së shpejti do të caktohet seanca e shqyrtimit fillestar. Ju njoftojmë se lënda në fjalë nuk është caktuar deri më tani, për shkak të ngarkesës së lëndëve të viteve paraprake”.
Paparaci gjatë ditës së sotme ka raportuar se Yildiray Bajrami akuzohet për kanosjen e dy punëtorëve. Aktakuza është ngritur në shtatorin e vitit 2019, por lënda ka mbetur e pashqyrtuar në gjykatë. Viktima, pretendon për ndërhyrje të politikës në drejtësi. Ka llogari politike në prapaskenë, dyshon ai.
Nusret Azemi, një rojë sigurimi, pretendon se një rast gjyqësor në të cilin ai është viktimë e një zyrtari të lartë të shtetit, rrezikon t’ia heqë dy deputetë koalicionit qeverisës.
Prej më shumë se dy vitesh, 47-vjeçari Azemi është në pritje të ballafaqimit në gjykatë me Yildiray Bajramin, shefin e kabinetit të ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Bajrami, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike Turke (KDTP), mesnatën e 25 dhjetorit, 2018, e ka kanosur me armë zjarri Azemin, derisa viktima ndodhej në vendin e tij të punës. Shërbente si rojë sigurimi në një vendparkimi të veturave në kryeqytet.
Në bazë të nenit 49 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen vepër veprën penale “Kanosja”, nga neni 185, paragrafi 4, dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.
Parashkrimi i ndjekjes është pesë vjet nga kryerja e veprës penale. Në rastin e Yildiray Bajramit, ndjekja e tij llogaritet të parashkruhet më 25 dhjetor 2023.