Lufta speciale serbe gati! / Serbia po përgatit provokim konflikti në veri!

Aktuale

Lufta speciale serbe gati! / Serbia po përgatit provokim konflikti në veri!

Nga: Idriz Morina Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 16:00
Pamje nga lufta në Ukrainë me seperatistët rusë

Situata në rastin e “Ukrainës” edhe pse në dukje sipas pak diplomatëve perëndimorë është drejt qetësimit, të tjera informacione dhe vlerësime po bëhen nga qarqet ushtarake, të cilët madje alarmojnë për një afrim të shpejtë të luftës. Disa paralajmërojnë së paku dy rreziqe.

Rrezikun e pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia - këtë e thonë thuaja të gjithë në Perëndim, dhe rreziku për veprime serbe në veri, të cilin e thotë ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë.

Provokimi serb në veri

Një lëvizje provokuese Serbia e bëri dje (e mërkurë) në veri të Kosovës. Ku njerëz të saj, të kamufluar, si trafikant, rol të cilin e kanë të përhershëm në veri, i rrezikuan disa policë kufitar të Kosovës.

“Dy automjetet civile, me lëvizjet e tyre dhe krijimin e pengesave në rrugë, kanë penguar zyrtarët policorë duke iu pamundësuar ndaljen e kamionit, i cili dyshohej për kontrabandë mallrash”, thuhet në njoftimin e policisë.

‘Policia ka njoftuar se lidhur me rastin janë alarmuar edhe njësitet tjera policore, të cilat kanë asistuar zyrtarët kufitarë, për hetim dhe kërkim të personave dhe automjeteve të dyshuara’.

Si duket gjeturia e tyre dhe intervenimi i shpejtë i njësive mbështetëse i shpëtoi nga më e keqja.

Ndoshta ngjarja nuk do të merrte dhenë, por përveç policisë së Kosovës, që njoftoi për rastin, media serbe nisën propagandën për ta fajësuar Kosovën për rastin.

Sipas kësaj ‘makinerie propagandistike serbe’, atje shkuan 250 forca policore për të ndërhyrë, kinse ndaj serbëve.

Sipas shpjegimit të strategjive të kontrollit të pushtetit (të situatave në këtë rast), Serbia është e interesuar të krijojë një problem.

Qëllimi i këtij problemi, nuk është zgjidhja e një situate, por për ta ofruar pastaj një ‘zgjidhje’. Kjo njihet me emrin që Naom Çomski i ka vënë: Krijoni probleme e pastaj ofroni zgjidhje. Kjo metodë quhet gjithashtu “problem-reagim-zgjidhje”. “Krijon një problem, një “situatë”, për të cilën shkaktohet një reagim në audiencë”. Pra, ajo duke e etabluar para opinionit të sajë, prej kohësh “çështjen e Kosovës” si problem të brendshëm, po mundohet ta përgatisë atë për ‘nevojën e ndërhyrjes’!

Kjo e shpjegon, pra se Serbia ka një plan konkret të provokimit në veri, dhe pastaj planet për ofrimin e zgjidhjeve: Bisedime të veçanta për rajonin, apo edhe përpjekjet për ta shkëputur.

Ngjarjet, nuk janë të ndara nga zhvillimet në Ukrainë. Si kam shkruar disa ditë më parë, tërheqja diplomatike e Putinit, pas reagimit të fuqishëm të aleancës Perëndimore, mund të çojë në një skenar, në të cilin ai mund të provokojë dhunë në Bosnje dhe në Kosovë, përkatësisht një desant ushtarak në Bosnje – Republikën serbe, dhe në një mbështetje me armë dhe pak njerëz për Serbinë në provokimin e dhunës në veri të Kosovës.

Në këtë mënyrë do të mund të shkaktonte shpërqendrim të diplomacisë perëndimore dhe njëkohësisht do ta nxiste atë drejt një situate, ku do të kërkohej ndërhyrje diplomatike, dhe që pastaj Rusia, e ndihmuar edhe nga Kina, duke e shfrytëzuar praninë e UNMIK-ut në veri të vendit, ta dërgojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Për ta parandaluar këtë skenar Kosova duhet të kërkojë në mënyrë bindëse mbështetjen ushtarake të Shqipërisë, dhe të vendeve mike, në mënyrë që, në rast të sulmit të papritur kundërpërgjigja të jetë e fuqishme, goditëse dhe shkatërruese për forcat serbe, nëse edhe aleatët tanë e dëshirojnë një fitore.

Këto turbullira pastaj të krijuara në Kosovë apo në Bosnje, dhe në të dyja së bashku, do të mund të shfrytëzoheshin nga Rusia për ta mësyrë pushtimin e shpejt dhe efektiv të Ukrainës.

Nëse Ukraina arrin ta ndalë forcën e parë goditëse me sukses, atëherë pozicioni i Rusisë do të rishikohet nga vetë ajo, ose do të kemi një luftë, kohëzgjatja e së cilës, dëmet dhe rezultatet do të jenë të panjohura edhe për shumicën e ekspertëve.

Ministri i Mbrojtjes, serbët presin mjegullën për të vepruar

Edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi duke iu referuar situatës në Ukrainë, mendon se në rast të shpërthimit të luftës atje, Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të vepruar në veri. Por, ai ka premtuar se në rast sulmi nga Serbia, Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës.

“Nuk dua ta mendoj si përplasje të ushtrive dhe pozicionim të shteteve, por e kam fjalën për përshkallëzim të situatës, ndikim të situatës së politikës së brendshme në vende si Serbia që janë të ndikuara nga Rusia. Kemi pika të nxehta si veriu i Kosovës dhe në vende të tjera ka faktorë të tërë që presin mjegullën për të vepruar. Shqipëria është e lidhur në një konflikt që mund të ndodhë në Kosovë, ne jemi krah tyre. Po flas për konflikte politike, për prishje të proceseve politike. Kemi dialogun në Kosovë, ‘Ballkanin e hapur’, por të gjitha këto në ndikimin e një konflikti të tillë nuk mund të kenë progres, por vetëm regres”, ka thënë ministri Peleshi.

Qetësia diplomatike gjermane

Rusia ka marrë vendim për fillimin e stërvitjeve me Bjellorusinë, ndërsa ka dërguar thuajse edhe teknologjinë e fundit ushtarake në Bjellorusi dhe në Ukrainë. Sipas inteligjencës ukrainase numri i forcave ruse mund të jetë rreth 130 mijë trupa afër kufirit të Ukrainës.

Në ndërkohë, nga Gjermania kanë ardhur mesazhe që i atribuohen qetësisë, dhe që tensionin aktual e shohin të tejkalueshëm.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka vizituar të mërkurën Rusinë, për të cilën thotë se Kremlini e ka kuptuar se Perëndimi është i bashkuar dhe i vendosur për t’i vënë sanksione të ashpra, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Është shumë herët të thuhet se problemet janë zgjidhur. Ato janë shumë serioze dhe do të mbeten ende për ca kohë, prandaj e meritojnë vëmendjen tonë”, ka thënë kancelari gjerman në një takim me gazetarë pas takimit me Kryeministren e Danimarkës, Mete Frederiksen.

NATO, lufta e pashmangshme

Por, për dallim nga ajo që thotë kancelari gjerman Scholz, Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenber, duket tërësisht i shqetësuar për krizën e Ukrainës. Ai madje thotë se po mbaron koha e pritjes.

“Ky është një moment i rrezikshëm për sigurinë evropiane. Numri i forcave ruse është duke u rritur. Koha paralajmëruese për një sulm të mundshëm është duke u pakësuar”, ka thënë Stoltenberg.

Rusia paralajmëron luftë

Rusia tashmë ka paralajmëruar se është gati për luftë, gjithnjë në diskursin e saj duke e fajësuar për këtë Perëndimin, duke u munduar ta fsheh vullnetin dhe projektet e saj për agresion, si në Çeçeni, duke shtypur një popull të tërë luftarak, në Gjeorgji, ku pushtoi dy krahina, dhe Krimenë e Ukrainës. Tashmë po troket në dyert e tërë Ukrainës!

“Rusia dhe Bjellorusia janë përballur me kërcënime të pashembullta, natyra dhe përqendrimi i të cilave, për fat të keq, është shumë më e madhe dhe shumë më e rrezikshme se më parë”, thotë zëdhënësi i Kremlinit, duke e qartësuar qëndrimin dhe gatishmërinë e Rusisë për luftë.

Por, diplomacia ruse, vazhdon të flasë ndryshe. Kështu ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, i ka thënë BBC se vendi i tij beson ende se diplomacia do të ndihmojë në zbutjen e krizës dhe se trupat e stacionuara në Bjellorusi do të ktheheshin në bazat e tyre pas stërvitjes.

Shtetet e Bashkuara i kanë cilësuar këto stërvitje si veprim përshkallëzimi të tensioneve në Ukrainë.

“I shohim si veprime përshkallëzuese stërvitjet ushtarake. Kjo gjë po ndodh në kufi dhe sigurisht që na shqetëson, por nuk mund të bëj parashikime se çfarë nënkupton sa i përket mundësisë së pushtimit”, u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat