Florim Begu, sigurimi i Vjosa Osmanit, u urdhërua nga presidentja që të mos i prekë gazetarët gjatë një ceremonie në Zyrën e Presidentes të enjten.
Gjatë ceremonisë së ndarjes të medaljeve për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, shefja e shtetit iu tha gazetarëve se nuk kishin leje të bënin pyetje gjatë ceremonisë.
Tha se ceremonia është e dedikuar për familjarët e dy aktivistëve të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Të lutem Flor, mos i prek. Nuk ka nevojë, mos i prek”, urdhëroi presidentja, sigurimin e saj, Florim Begun.
Sipas Osmanit, ceremonia e ndarjes së medaljeve për dy aktivistët e ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është momenti i duhur për të komentuar deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut.
“Është jo korrekte. Të lutem. Është jo korrekte dhe ofendim për familjet që janë këtu. Ne iu kemi lejuar që të merrni pamje, por jo që të bëni pyetje për këtë temë”, tha ajo.
Prindon Sadriu, tash një diplomat dhe rezervist i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u përfshi në një debat të madh publik me mediat.
I sulmoi ato për raportimet rreth shpenzimeve të udhëtimit të realizuara nga bashkëshortja e tij, presidentja Vjosa Osmani, në kohën kur ajo ushtronte funksionin e deputetes.
I Ngarkuari si Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, i përkufizoi si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” mediat e Kosovës.
Kundër gjuhës së tij të ashpër ndaj mediave, reagoi raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, deputetja gjermane Viola Von-Cramon.