Presidenca e Kosovës, ka reaguar pas raportimeve se presidentja Vjosa Osmani është përplasur me gazetarët, kur është pyetur për deklaratat e bashkëshortit të saj Prindon Sadriu.
Në një njoftim të lëshuar nga Zyra e Presidentes, thuhet se Osmani ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t'i lënë mediat prezente, përkundër faktit se nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni.
Në sqarim thuhet se presidentja ka kërkuar të mos shtrohen pyetje për çështje tjera, pos atyre që kishin të bënin me ceremoninë e ndarjes së dekoratave për Arben Xheladinin e Mon Balajn, përcjell Bota sot.
Njoftimi i plotë:
Sqarim ndaj lajmit të sotëm të publikuar në disa media
Sqarim ndaj lajmit të sotëm të publikuar në disa media nga ceremonia e ndarjes së dekoratave për Arben Xheladinin e Mon Balajn dhe sipas të cilave "Presidentja Osmani është përplasur me gazetarët".
Në fakt, siç shihet dhe dëgjohet nga incizimi, Presidentja Osmani ka kërkuar nga pjesëtarët e sigurisë t`i lënë mediat prezente, përkundër faktit se nuk kanë qenë të ftuara në ceremoni. Ngaqë ngjarja kishte karakter ceremonial, Presidentja ka kërkuar që pyetjet për çështje të tjera të shtrohen tjetër herë. Prandaj nuk ka pasur asnjë lloj përplasje siç është prezantuar në media.
Bashkëngjitur e keni video incizimin nga ceremonia!
Bashkëshorti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.