Osmani: Nuk lejojmë Asociacion ashtu siç do Serbia

Aktuale

Osmani: Nuk lejojmë Asociacion ashtu siç do Serbia

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 20:40
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e vendosur se institucionet e vendit nuk do të lejojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ashtu siç e kërkon Serbia.

“Nuk do të lejojmë që Asociacioni të realizohet në Kosovë siç kërkohet nga Serbia”, ka deklaruar ajo të enjten, në intervistën për televizionin publik.

Mes tjerash, ka thënë se deklarimet për ndonjë autonomi për serbët e veriut nuk do të jenë të pranueshme për Kosovën.

“Kurrë një gjë e tillë nuk është diskutuar. Nuk mund të ketë asnjë model që mund të na shpie drejt bosnjëzimit të Kosovës. Ky nuk është dialog për statusin e Kosovës, por për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka pohuar ajo,

Presidentja ka pranuar se ka një intensifikim për dialogun Kosove-Serbi, referuar vizitave të fundit të emisarëve evropian e amerikan.

Duke folur për takimin me Gabriel Escobar, ajo ka thënë se ai ka qenë takim bilateral, në të cilin është diskutuar për dialogun dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së. Presidentja ka mohuar se në atë takim është folur për ndonjë listë të zezë amerikane për sanksione ndaj personaliteteve politike në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat