Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka përshëndetur vendimin e Gjermanisë për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës.
Në një postim në Facebook ai ka shkruar se për këtë çështje institucionet e Kosovës kanë mbajtur shumë takime me palën gjermane.
“Më vjen mirë që sot u konkretizua angazhimi afatgjatë i institucioneve shtetërore të Kosovës për njohjen e patent-shoferëve të Kosovës nga ana e Gjermanisë. Janë mbajtur shumë diskutime me palën gjermane, janë shkëmbyer vizita dhe të dhëna zyrtare për vite me radhë”, shkruan Hoti në Facebook.
Ai ka rikujtuar se partneriteti Kosovë-Gjermani është i përhershëm.
“Pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës që kanë emigruar për dekada me radhë kanë gjetu strehim dhe punë në Gjermani falë mikpritjes së shtetit dhe popullit gjerman. Shumë familje në Kosovë e kanë përmirësuar standardin e jetës falë të ardhurave të fituara nga puna e familjarëve të tyre në Gjermani.
Gjermania është ndër partnerët kryesorë politik dhe ekonomik të shtetit të Kosovës. Dhe i gjithë populli i Kosovës është mirënjohës për këtë miqësi”, ka përfunduar ai.