Latifi: Nëse dikujt i jepet një vaksinë me afat të skaduar unë jap dorëheqje

Aktuale

Latifi: Nëse dikujt i jepet një vaksinë me afat të skaduar unë jap dorëheqje

Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 23:03
Rifat Latifi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për fshehjen e numrit të vaksinave pa afat, derisa shtoi se po rrezikohen qytetarët e vendit nga ky proces. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, një ditë më parë ka mohuar kategorikisht se qytetarëve u janë dhënë vaksina antiCOVID pa afat. 

Deputeti Haxhiu gjatë debatit në Kuvend, tha sot se Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati.

Mirëpo, pretendimet e sotme të deputetit Haxhiu, i ka hedhur poshtë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se asnjë vaksinë nuk është me afat të skaduar dhe se nëse ndonjë pacient merr vaksinën me afat të skaduar, ai do të japë dorëheqje.

“Asnjë vaksine nuk i ka kaluar afati, dhe asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk ka me iu dhënë ndonjë pacienti në Kosovë. Nëse kjo ngjan, që dikush të merr vaksinën me afatin e skaduar unë jap dorëheqje atë ditë”, ka deklaruar ai.

Haxhiu në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se po kërkon qasje në dokumentet publike të MSH-së, por që kjo e fundit nuk po e lejon.

“Edhe sot MSH vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e Shëndetësisë nuk lejon qasej në dokumentet publike. Pra, MSH ka dështuar të implementojë planin e vaksinimit”, theksoi ai.

Në Kosovë prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.798.980 doza të vaksinës, deri më sot 809,982 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat