Profesori universitar, Sadri Ramabaja, ka thënë se në një mënyrë ka qenë e paralajmëruar përshkallëzimi i situatës në Ukrainë qysh nga koha e aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Si Institut Shqiptar për Gjeopolitikë, të cilin e drejtoj, kemi bërë një varg të analizave për Ukrainën dhe mundësinë e shpërthimit të një lufte dhe përfundimi është i qartë – mundësia e rikthimit të pozicionit të Evropës në dy dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore (respektivisht në pozicionin që kishim në 1948 dhe 1955) kur diskutohej statusi neutral i Austrisë duket se është më së afërmi. Në fakt, që nga viti 2014 kur është aneksuar Krimeja dhe është përshkallëzuar situata në Ukrainën Lindore e kemi pasë të qartë që do të përshkallëzohet, sepse e ashtuquajtura doktrinë e Putinit dhe gjeneralit të tij të famshëm Gerasimov ka punuar vazhdimisht, qoftë në fushën e provokimit brenda Ukrainës përmes strukturave të saj të stacionuara. Tash kemi informacione se segmente të tëra të Shërbimit Sekret Rus janë pozicionuar atje, dhe komandot e ushtrisë ruse gjithashtu”.
“Doktrinat e Putinit dhe Gerasimov kanë kulmuar prej vitit 2007, nga Konferenca e Sigurisë në Mygnih, kur Putini e pati cilësuar shembjen e BRSS-së si katastrofën më të madhe gjeopolitike dhe kishte paralajmëruar se do ta rikthejë me çdo çmim pozicionin që e kishte humbur atëbotës, pas Luftës së Ftohtë. Jemi në prag të këtij ndryshimi ku bota perëndimore e ka ndjekur me shqetësim dhe janë të alarmuar”.
Ramabaja, në “Edicionin Special”, tha se Evropa ndodhet para një krize që mund të jetë ndoshta më e madhja pas Luftës së Dytë Botërore.
Derisa mediat ndërkombëtare kanë shkruar gjatë ditës së sotme se Rusia mund ta pushtojë së shpejti Ukrainën, Ramabaja tha se kjo ka gjasa reale që të ndodhë.
“Gazeta gjermane “Bild” javën e kaluar kishte cituar një prej ushtarakëve të njohur gjermanë të fushës së sigurisë që paralajmëron mundësinë e shpërthimit në pjesën e dytë të shkurtit që ndërlidhet me kushtet klimatike të Ukrainës. Fushat e grurit që janë më të mëdhatë në Evropë pritet që në kushtet klimatike të javës së ardhshme të jenë të përshtatshme për marshimin e tankseve ruse, sepse kërkohet që të jenë sa më të ngrira që marshi të bëhet më shpejt”.
Ai tha se India dhe Turqia janë dy vendet që po mbajnë një pozicion neutral në krejt këtë situatë të tensionuar, derisa Gjermania është i vetmi vend që ka marrë pozicion tërheqës.
“India se në pozicionin mes Rusisë dhe Kinës e ka një pozicion ndërmjetësues special, sepse Rusia ka kohë që ka raporte jashtëzakonisht të mira me Indinë duke i shitur sasi të madhe të armatimit superior. Ka shenja se India dhe Turqia do ta ruajnë pozicionin neutral të përhapjes së luftës përtej kufijve të Ukrainës, sepse sot të shqetësuar ishin edhe shtetet e Baltikut”.
“Gjermania është i vetmi vend që s’ka dërguar armatim në Ukrainë, madje për simbolikë ka dërguar vetëm helmeta për ushtarët që i ka irrituar ukrainasit. Bota perëndimore ka një mirëkuptim për shkak të kaluarës historike mes Gjermanisë dhe Ukrainës”.
Por, a mund të ketë një Luftë të Tretë Botërore?
“Nuk mund ta paramendoja, por në çmendinë e disa politikanëve të tipit të Putinit që nuk dallon shumë prej Hitlerit nuk përjashtohen as aventurat e kësaj natyre. Po të përdornin armë bërthamore, atëherë do të ishte një fillim i një katrahure të jashtëzakonshme. Megjithatë reagimi i gjeneralëvë në pension të Rusisë dhe një pjese të akademikëve rusë përmes një peticioni që kanë nënshkruar ditë më parë këtë lloj të unitetit të përqëndruar në sulm, ritkhimin e dinjitetit të Rusisë dhe të tjera nuk e ka të garantuar që do ta mbajë gjatë. Sa më gjatë që do të zgjasë konflikti në Ukrainë, Putinit do t’i vështirësohet gjendja brenda shtëpisë së vet”.