Kryetarët e komunave duhet të paguhen sa deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrat. Kjo është kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës që vlerëson se kryekomunarët duhet të vlerësohen për angazhimin e tyre. Po ashtu, kërkesë për rritjen e pagës ka edhe për asamblistët.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një interviste për KosovaPress, tha se paga për krerët e komunave të Kosovës duhet të rritet për shkak se ata janë në dispozicion të qytetarëve në 24 orë të ditës.
Ibrahimi: Kryetarët e Komunave të paguhen sa deputetët
“Asociacioni i Komunave të Kosovës vlerëson së projektligji për paga nuk i trajton në mënyrë të dinjitetshme dhe i nënvlerëson kryetarët e komunave. Ne mendojmë që kryetarët e komunave duhet të vlerësohen me një koeficient të barabartë me koeficientin e deputetit të Republikës së Kosovës apo në nivelin e ministrit sepse kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi, duke marrë parasysh që janë të zgjedhur të drejtpërdrejt nga qytetari i Republikës së Kosovës. Duke marrë parasysh se ata janë pothuajse 24 orë përgjegjës për zhvillimet në nivelin lokal, duke marrë parasysh që çdo ditë presin dhe dëgjojnë dhe i zgjidhin hallet e qytetareve e qe këto dilema nuk i kanë në nivelin qendror”, vijoi Ibrahimi.
Edhe anëtarët e Kuvendeve Komunale, sipas Ibrahimit, përveç pagës duhet të marrin edhe mëditje në pjesëmarrje në seancat e Kuvendeve Komunale.
Ibrahimi: Anëtarët e Kuvendeve parashihet të kenë vetëm pagë dhe jo mëditje
“Gjithashtu anëtarët e Kuvendeve Komunale në këtë projektligj parashihen të kenë vetëm pagë dhe jo mëditje për pjesëmarrje në seancat e Kuvendeve Komunale. Duke marrë parasysh që edhe ata janë të zgjedhur nga qytetari i Republikës së Kosovës, neve mendojmë që anëtarët e Kuvendeve të Komunave duhet të kenë edhe një mëditje për pjesëmarrjen në seancat e Kuvendeve Komunale sepse e meritojnë, sepse dhe ata e përfaqësojnë zërin e qytetarit, edhe ata i mbrojnë interesat e qytetarëve siç i mbron deputeti i Republikës së Kosovës”, theksoi Ibrahimi.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se do të ketë një takim me kryetarët e Komunave në lidhje me projektligjin e pagave, ku siç thotë ai, më pas do të kërkojnë takim edhe me nivelin qendror për të kërkuar ndryshimet në projektligj.
Ibrahimi: Duhet të ndryshojë koeficienti që është paraparë me projektligjin
“Ne mendojmë që në këto dy rrafshe duhet të ndryshohen koeficientet të cilat janë paraparë me projektligjin në fjalë dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës do të ketë një takim të përbashkët me të gjithë kryetarët e komunave. Jemi në komunikim me kryetarët e komunave, po besojmë që shumë shpejt do te kërkojmë takim me nivelin qendror në mënyrë që koeficientet të cilët janë të paraparë në këtë projektligj të ndryshojnë. Nuk duam ta nënvlerësojmë punën e askujt, nuk duam të nënvlerësojmë angazhimin e askujt por mendojmë që kryetaret e komunave duhet të trajtohen më ndryshe në raport me atë siç janë trajtuar në këtë projektligj”, tha Ibrahimi.
Aktualisht një kryetar komune paguhet rreth 1000 euro ndërsa një këshilltar i Kuvendit Komunal rreth 200 euro.