Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se ekipi i kërkim-shpëtimit ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (UKISAR) i ka stërvitur ushtarët e Qendrës Trajnuese Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së në Pomozatin.
“Ata simuluan shumë skenarë të reagimit ndaj fatkeqësive. Këto përfshinin përdorimin e objekteve stërvitore në SARTC – QNTKSH për të kryer kërkime në rrënoja pas një tërmeti, trajtimin e viktimave dhe evakuimin pas një përplasjeje të madhe të trafikut rrugor dhe në terren.
Gjithashtu edhe në skenar për reagimin ndaj rrëshqitjes së dheut, kërkimeve në mal, evakuimin e viktimave, si dhe mbijetesën në mot të ftohtë”.
“UKISAR është ekipi kryesor ndërkombëtar i reagimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe i autorizuar nga Kërkimi dhe Shpëtimi i Kombeve të Bashkuara si ndër më të mirët në botë. Udhëheqësit e ekipit britanik e vlerësuan Qendrën tonë në Pomozatin si qendër trajnimi e klasit botëror”, ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.