Policia e ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Dardan Molliqajt dhe 12 zyrtarëve të tjerë të PSD-së.
Arrestimi i tyre është bërë në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Aktivistët e PSD-së kishin hyrë në ambientet e ZRRE-së duke insistuar se nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në publikimin e vendimit të fundit mbi tarifat e reja të rrymës.
Ndërkaq sipas policisë, rreth orës 15:00, në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRRE-së, me urdhër të prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 persona.
PK thotë se megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur.
“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej.