Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë, kryetari i Sindikatës se Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, është pyetur nga deputetët për supsendimin e zyrtarit policor, Amir Hoxha.
Zeqiri ka thënë se policët nuk kanë të drejtë të bëjnë komente politike, teksa ka shtuar ai nuk e di se si është vlerësuar statusi i Amir Hoxhës nga ana e komisionit.
“Nuk kemi të drejtë në rrjete sociale me postu me uniformë edhe nuk kemi të drejtë me bo komente politike. Dhe ajo pjesë tjetër që e ka vazhduar komentin a është vlerësuar si politike nuk e di”, tha ai.
Tutje Zeqiri shtoi se Hoxha ka të drejtë të kërkojë të drejtat e veta, mirëpo sipas tij në kuadër të suazave ligjore.
“Ka pasë të drejtë, ne kemi të drejtë të kërkojmë të drëjtat tona, por në kuadër të suazave ligjore”, shtoi ai.
Zyrtari Policor, Amir Hoxha, është suspenduar pas një postimi në Facebook, ku ai kishte shprehur pakënaqësitë e tij rreth mospagesës së shujtave për policët.