Kryetari i Komunës së Skenderaj, Fadil Nura bashkë me përfaqësues të komunës kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ai tha se në këtë vend janë themelet e shtetit.
Kreu i kësaj komune bashkë edhe me organizatat e dala nga lufta ka bërë homazhe pranë varrezave të familjes Jashari.
Nura: Këtu ka filluar liria e Kosovës
“Sot bashkë me shoqatat dhe me institucionet e pushtetit lokal bëmë homazhe aty ku duhet të bëhen homazhe, këtu ku ka filluar liria e Kosovës, këtu ku i ka themelet shteti dhe Republika jonë”, tha ai.
14 vjet më parë, është shpallur Pavarësia e Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, në orën 15:39, 109 deputetët e atëhershëm shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.