Në nderim të përvjetori të 14-të të Pavarësisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës do të parakalojnë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Për të përcjellë këtë parakalim përgjatë shesheve të kryeqytetit janë mbledhur mijëra qytetarë.
Komandatja Supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani, thotë se teksa forcat ushtarake dhe policore parakalojnë nuk ka si të mos kujtohet rruga e vështirë drejt lirisë.
“Jam krenare që ndodhem para jush në këtë parakalim të ushtrisë dhe policisë tonë në 14 vjetorin e shtetësisë tonë. 14 vjet nuk janë shumë e as pak për ta kujtuar vështirësinë e vendit drejt pavarësisë. Këto forca janë garancia, identiteti i shtetit tonë të ri për të cilin dhamë shumë mund”.
“Teksa forcat tona policore e ushtarake marshojnë qytetet nuk ka si të mos kujtohet rezistenca për liri dhe puna ikonike e presidentit historik, Ibrahim Rugova, në rrugën për liri, pavarësi e demokraci. Nuk ka si të mos kujtohet sa e vështirë ishte rruga drejt lirisë”.
“Teksa e kujtojmë rrugëtimin tonë të drejtë e sfidues mos ta harrojmë rrugën e vështirë drejt lirisë e të mos e harrojmë se sa krenari është kjo se ku kemi arritur”, tha Osmani.