Gjatë seancës së sotme solemne për ndër të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, opozita ka lëshuar sallën e Kuvendit në momentin e fjalimit të kryeministrit Kurti.
E ky veprim i opozitës ka nxitur reagimin e profesor, doktor Enver Bytyçi.
Ai thotë se LDK gaboi, ndërsa PDK PDK manipuloi edhe me emrin e Fatmir Sejdiut, për të tërhequr Lidhjen Demokratike në bojkotin e saj.
“Leximi i deklaratës së pavarësisë nga Hashim Thaçi nuk është meritë e tij, është një punë që ai e kreu me këmbënguljen e vet për të treguar protagonizëm. Deklarata kushtetuese para se ta lexonte kryeministri duhej ta lexonte presidenti Sejdiu dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Por Thaçi beri presion. Ai nxiti militantët e tij që të digjnin edhe flamurin e Dardanisë të Ibrahim Rugovës për ta zëvendësuar me një flamur boshnjak! Megjithatë ky flamur sot është pranuar edhe emocionalisht, për shkak se duhet forcuar shtetësia e Kosovës!”, ka shkruar Bytyçi, përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë:
Sot opozita e Kosovës ka lëshuar sallën e parlamentit gjatë ceremonisë festive për 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, sepse kryeministri Kurti nuk ka përmendur kontributin e Hashim Thaçit në akt të 17 shkurtit 2008.
Të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë ikur menjëherë nga mbledhja përkujtimore. Të bën përshtypje se si PDK manipuloi edhe me emrin e Fatmir Sejdiut, për të tërhequr Lidhjen Demokratike në bojkotin e saj!
Por duhet thënë se leximi i deklaratës së pavarësisë nga Hashim Thaçi nuk është meritë e tij, është një punë që ai e kreu me këmbënguljen e vet për të treguar protagonizëm. Deklarata kushtetuese para se ta lexonte kryeministri duhej ta lexonte presidenti Sejdiu dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Por Thaçi beri presion. Ai nxiti militantët e tij që te digjnin edhe flamurin e Dardanisë të Ibrahim Rugovës për ta zëvendësuar me një flamur boshnjak! Megjithatë ky flamur sot është pranuar edhe emocionalisht, për shkak se duhet forcuar shtetësia e Kosovës!
Historia i gjykon njerëzit për dy elemente: Për atë çfarë ata kanë qenë dhe për atë çfarë kanë bërë. Hashim Thaçi ka qenë përfaqësues politik i UÇK-së, por askush nuk është i qartë se cila ka qenë veprimtaria praktike e tij në luftë! Hashim Thaçi ka qenë kryeministër dhe president i Kosovës, por kjo nuk e bën aspak atë të suksesshëm në këto detyra funksionale. Janë aktet e tij, veprimet që ka kryer, idetë që ka promovuar, lidhjet dhe qëndrimet politike të tij, ato që bëjnë diferencën midis asaj çfarë ke qenë dhe asaj çfarë ke bërë!