Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka përmbyllur vitin 2021 me 227.3 milionë euro kthim bruto nga investimet në fund të muajit dhjetor.
Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Informatave Mujore për Sistemin Financiar për muajin dhjetor 2021”, thuhet se vlera e gjithsej aseteve të këtij sektori pensional në fund të vitit, u përmbyll me 2 miliardë e 363 milionë euro.
Kurse, Asetet e jashtme neto të fondeve pensionale të Kosovës ishin në vlerën e 1,816.8 miliardë eurove.
Më herët nga Trusti patën bërë me dije se kjo shifër nominale e kthimit pozitiv nga investimet, është më e larta që prej themelimit të institucionit.
Në krahasim me vitin 2020, kur kthimi vjetor bruto nga investimet ishte vetëm 72 milionë, vitin që lamë pas, pra më 2021, kthimi u rrit për 155 milionë euro, duke shkuar në 227.3 milionë euro gjithsej në fund të muajit dhjetor të 2021-s, përcjell Buletini Ekonomik.
Një muaj më herët, nga Trusti patën treguar se gjatë vitit 2021, mjetet pensionale në total janë rritur për 365 milionë euro, duke shkuar në 2.35 milardë euro, përderisa të njëjtat më 2020 ishin 1 miliardë e 988 milionë euro.
Në fund të 2021-s, sipas FKPK-së, rreth 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë – sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Kurse, sa i përket Investimeve në tregjet financiare ndërkombëtare, ata tregojnë se ato vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese.
“Duke konsideruar se 2021-shi ishte vit i afektuar nga pandemia, luhatshmëria në tregjet financiare dhe lëvizjet e ndryshme makroekonomike, strategjia investuese e FKPK-së është adaptuar në baza të rregullta, duke angazhuar edhe fonde të reja, për të mbajtur likuiditetin, sigurinë dhe diversifikimin e portofolit”, patën thënë nga Trusti, duke treguar se Bordi Drejtues përgjatë vitit 2021, kishte ndërmarrë edhe mbi 40 vendime për alokime të ndryshme të mjeteve pensionale.
Ndërkohë, sa i përket kontributeve të arkëtuara për vitin 2021, Trusti ka realizuar 212 milionë euro, kurse më 2020 ato ishin në vlerën e 188 milionë eurove.
Gjithashtu, prej mjeteve të Trustit, më 2021 janë bërë pagesa në vlerë të 68 milionë eurove për 5 mijë e 400 pensionistë të rinj, ndërsa prej themelimit, ky institucion ka shpaguar 321 milionë euro për 64 mijë përfitues. E llogari aktive të kontribuesve në Trust aktualisht janë 752,523 llogari.
Në një njoftim për media nga Trusti një muaj më herët, është thënë se vlera e Fletëobligacioneve të Kosovës më 2021, ka qenë 490 milionë euro. Ndërsa, depozitat me bankat në Kosovë vitin që lamë pas, ishin në vlerë të vetëm 45 milionë eurove, nga shifra prej 130 milionëve që ishte në vitin 2020.
Në anën tjetër, rritja e çmimit të njësisë për vitin 2021 ishte 10.65%, përkatësisht 1.72 euro, krahasuar me rritjen prej +3.03%, përkatësisht 1.55 euro, që ishte në vitin 2020.
Kurse për këtë vit, Trusti thotë se ka pritje që do të ketë sërish luhatshmëri të lartë për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionin, rritjen e kamatave nga bankat qendrore dhe faktorët e tjerë gjeostrategjikë.