Dyshohet se ngacmoi kolegen, historia e policit të suspenduar në Skenderaj - ja për cilën vepër po hetohet

Aktuale

Dyshohet se ngacmoi kolegen, historia e policit të suspenduar në Skenderaj - ja për cilën vepër po hetohet

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka suspenduar nga puna zyrtarin policor H.L i cili sipas informatave, dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një police të gjeneratës së re, e cila punon në stacionin e policisë në Skenderaj.

Sipas burimeve, H.L ka qenë polic hetues në stacionin policor në Skenderaj. Policia rajonale e Mitrovicës e ka konfirmuar se ai është suspenduar me 16 shkurt 2022, ditën edhe kur është paraqitur ankesa ndaj tij nga viktima.

Insajderi mëson se fillimisht është hezituar të hapet si rast pasi që nga burime jo zyrtare thuhet se polici në fjalë ka lidhje të forta por më pas policia e konfirmon suspendimin e tij duke mos cekur arsyen.

“ju njoftojmë se lidhur me pyetjen e parashtruar për rastin, një zyrtar policor në Skenderaj është suspenduar komfor procedurave, ndërsa  rasti për hetime të mëtejme është proceduar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar rastin duke e cilësuar si vepër penale të sulmit seksual.

“Departamenti i Hetimeve është duke trajtuar një rast të tillë ku dyshohet për veprën penale të sulmit seksual.

Informacionet e para në lidhje me rastin IPK i ka pranuar nga Policia e Kosovës  të cilët edhe kanë suspenduar një zyrtar policor për 72 orë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Po ashtu rasti është duke u hetuar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Hetuesit e IPK kanë kontaktuar me prokurorin kompetent të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë në koordinim me të cilin pritet të ndërmerren veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të rastit bazuar në pretendimet e ankueses”, thuhet në përgjigjen e IPK së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat